Telegrafi

Abazi: Nuk heqim dorë nga titulli

Abazi thotë se të përzgjedhurit e tij e kanë merituar fitoren, ndonëse ai lavdëroi edhe ekipin mysafirë për paraqitje të mirë, sidomos në pjesën e dytë.

“Qëllimi ka qenë arkëtimi i tri pikëve në këtë sfidë, sepse klubi ka pasur disa probleme. Kjo në fakt ka qenë dita e parë me skuadrën, por arritëm ta kombinojmë disi ekipin dhe ia arritëm qëllimit për t’iu gëzuar tri pikëve dhe jam i lumtur që debutova me fitore”, ka thënë Abazi.

“Edhe pse në pjesën e dytë Fushë Kosova në disa periudha luajti më mirë, ne me meritë e fituam këtë sfidë. Goli i realizuar në pjesën e parë na dha tri pikë të rëndësishme”, ka theksuar Abazi.

Ai pohon se Ferizaj nuk është dorëzuar në garën për titull të kampionit. Abazi thotë se skuadra e tij nga ndeshja në ndeshje do të kërkojë fitore.

“Gjatë bisedës që kam pasur me drejtuesit e klubit nuk është thënë që të luftojmë me çdo kusht për titull, por sigurisht se nuk heqim dorë lehtë. Ta shohim si do të shkojnë punët, pasi janë shumë pikë në lojë. Ne duam të fitojmë ndeshje pas ndeshje, kurse qëllimi është që të jemi në mesin e katër skuadrave të para. Realisht ende as mbijetesën nuk e kemi siguruar, ndonëse jemi shumë pikë përpara skuadrave të rrezikuara, por duhet të kemi kujdes pasi çdo hap fals mund ta vështirësojë situatën”, ka pohuar Abazi.

Ferizaj ndeshjen e radhës e luan para tifozëve të vet, ku të martën do të ballafaqohet me Trepçën’89 në kuadër të javës së 21-të. /KP/Telegrafi/