Telegrafi

​Abazi: Marrëveshja e Uashingtonit e falimenton Kosovën, ia heq kontrollin ndaj Trepçës dhe Ujmanit

Ish zëvendëskryeministri nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka thënë se marrëveshja e Uashingtonit në kohën e fushatës elektorale presidenciale, e falimenton Kosovën ekonomikisht duke ia hequr kontrollin ndaj Trepçës dhe Ujmanit.

Sipas tij përveç kësaj e falimenton edhe në anën politike duke e rikonfirmuar se fusnota ka qenë akt i pranimit se statusi nuk është kryer dhe se do bëjë kompromise të reja.

“Marrëveshja e Washingtonit në kohën e fushatës elektorale presidenciale, e falimenton Kosovën ekonomikisht duke ja hequr kontrollin ndaj Trepçës dhe Ujmanit, e falimenton në anën politike duke e rikonfirmuar se fusnota ka qenë akt i pranimit se statusi nuk është kryer dhe se do bëjë kompromise të reja dhe Kosova varet nga qëndrimi i Serbisë dhe në fund marrëveshja e dërgon Veselin në Hagë me automatizëm”, shkruan ai.

Abazi thekson se Amerika dhe amerikanët që e kanë ndihmuar Kosovën të çlirohet prej Serbisë dhe me u bë shtet, janë kundër marrëveshjes dhe e konsiderojnë të rrezikshme.

“Amerika dhe Amerikanët që e kanë ndihmuar Kosovën të çlirohet prej Serbisë dhe me u bë shtet, janë kundër marrëveshjes dhe e konsiderojnë të rrezikshme, pazar që e gjymton Kosovën për interes të disa individëve që përfitojnë materialisht dhe Serbisë që fiton një betejë të madhe në aspektin politik. Në Uashington varfërohet Kosova dhe në Bruksel Serbia e ngrit pazarin politik. Kjo qeveri dhe këta njerëz janë shumë të rrezikshëm për shtetin dhe të ardhmen e qytetarëve”, ka shkruar Abazi, njofton Telegrafi.