Analisti Haki Abazi, njëherësh edhe drejtor i Fondacionit ‘Rockefeller Brothers’, mendon se ideja për të mbajtur një tryezë shkencore për çështjen e demarkacionit, në fakt është një blerje e kohës, sepse sipas tij, janë tejkaluar suazat e tryezave dhe të diskutimeve.
“Mosmarrëveshjet për këtë temë besoj që e kanë sjellë situatën kur Kosova duhet të kërkojë pozitën e saj në Gjykatën e Arbitrazhit”, ka deklaruar Abazi në emisionin “Kontakt” në Tribuna Channel.
Demarkacioni, sipas tij, nuk është kriter legal për asnjë gjë, por është kriter politik dhe kushtëzimi i demarkacionit për liberalizim të vizave nuk ka të bëjë asgjë me aspektin legal.
Abazi gjatë intervistës ka folur edhe për Gjykatën Speciale, ku sipas tij, Gjykata ende po e pret një marrëveshje me Holandën.
“Qeveria holandeze, sigurisht që nuk dëshiron të jetë e përfshirë në asnjë formë në marrjen e përgjegjësive për atë se çfarë ndodhë me njerëzit që mund të jenë potencialisht të akuzuar për t’i sjell në territorin e saj”, ka thënë Abazi.
Ai pret që ky proces të përfundojë sa më shpejt që të jetë i mundur për shkak se po e mban Kosovën peng.
“Ata që e kanë pranuar Gjykatën Speciale dhe e kanë votuar atë, duhet të marrin përgjegjësinë”, ka thënë ai, duke shtuar se “deri në fund të vitit duhet të funksionalizohet Gjykata, përndryshe i gjithë kredibiliteti i dy palëve, si asaj ndërkombëtare dhe asaj vendore, vihet në pikëpyetje”./Tribuna/