Telegrafi

Abazi: Më 17 shkurt u bëmë bashkë për Republikën tonë  

Zëvendëskryeministri Haki Abazi, i cili udhëhoqi Grupin punues për shënimin e 12-vjetorit të pavarësisë së Kosovës ka uruar edhe sot Ditën e Pavarësisë, duke thënë se më 17 shkurt u bënë bashkë për Republikën.

Duke përmendur me radhë, organizimet për 12-vjetorin e pavarësisë, Abazi u shpreh se më 17 shkurt qytetarët dhe shteti ishin bashkë.

“Dje, u bëmë bashkë për ardhmërinë tonë, për Republikën, për guximin tonë që na duhet për të kryer detyrat e përditshme në realizimin e qëllimeve tona. Dje shteti dhe qytetari ishin bashkë, ashtu do të vazhdojmë”, shkruan Abazi në Facebook.

Përveç organizimit në Prekaz dhe Velani, zëvendëskryeministri përmendi edhe seancën solemne të Kuvendit, dhe organizimin e ushtrisë së Kosovës.

“Dje, Kuvendi i Republikës rrezatoi vlerë, sinqeritet, unitet, respekt për të gjithë, pa përjashtim. Dje si çdo ditë, roja e shtetit tonë, ushtria dhe ushtarët tanë na bënë krenar, të mbrojtur dhe të sigurt. Uniforma është e jona”, shkruan Abazi.

Postimi i plotë i tij:

Urime edhe sot!

Dje kaluam një ditë feste, festë e rëndësishme në udhëtimin tonë si komb, përkrah kombeve tjera. Të tjerët janë para nesh, ata bënë shtetin kur ne sikur luftonim njëri tjetrin e Besën u falëm të huajve. Dje ishte ndryshe, Besën njëri tjetrit, për vendin.

Dje, ishte ditë e bukur në të gjitha anët, në Prekaz dielli bënte dritë e shpirtrat e familjes Jashari i jepnin shkëlqimin vendit tonë. Dëgjohet thirrja për të ruajtur çdo kontribut, secilin moment të luftës së lavdishme të UÇK, bijave dhe bijve të vendit, heronjve të historisë dhe patriotëve që nuk u dorëzuan asnjëherë. Lavdi e përjetshme!

Në Velani u bëmë bashkë për qëllimin e madh për të cilin luftuan, dhanë jetën, u sakrifikuan dhe lanë amanet për ta bërë shtetin për ta ruajtur kombin. Edhe Presidenti Rugova edhe heroi- Mandela ynë, Demaçi, kanë dhënë drejtim dhe vizion për të ardhmen dhe qëndrueshmërinë përballë pengesave. Të gjithë Dëshmorët që pushojnë në tokën për të cilën ranë- janë skalitur përjetësisht në historinë e kombit tonë. Lavdi!

Dje, Kuvendi i Republikës rrezatoi vlerë, sinqeritet, unitet, respekt për të gjithë, pa përjashtim.

Dje si çdo ditë, roja e shtetit tonë, ushtria dhe ushtarët tanë na bënë krenar, të mbrojtur dhe të sigurt. Uniforma është e jona!

Dje, u bëmë bashkë për ardhmërinë tonë, për Republikën, për guximin tonë që na duhet për të kryer detyrat e përditshme në realizimin e qëllimeve tona. Dje shteti dhe qytetari ishin bashkë, ashtu do të vazhdojmë!

Faleminderit gjithashtu Policisë së Kosovës për sigurinë publike.

Kërkoj falje për ndonjë lëshim që ka mundur të ndodhë dhe të jeni të sigurt që nuk e kemi bërë me qëllim! /Telegrafi/