Site icon Telegrafi

Abaz Aliu, legjenda dhe e vërteta e martirit të Qerbelasë

Xhevdet Shehu

Pelegrinazhi i përvitshëm pesëditor në malin e Tomorrit, atje ku ndodhet objekti i kultit kushtuar Abaz Aliut, mblidhen qindra mijë njerëz çdo vit. Është një nga kremtimet më të çuditshme dhe më impresionuese që bëjnë shqiptarët për një personalitet që i përket një historie më se 1400 vjeçare të lashtë dhe për më tepër që nuk ka qenë shqiptar.

Mirëpo në lajmet që jepen në shtyp apo në TV shpesh, nga mosdija jepen informacione të pasakta. Për shembull, thuhet vazhdimisht se atje në teqenë e Kulmakut është varri i Abaz Aliut etj., për të vazhduar me gojëdhëna që nuk janë të vërteta deri edhe me gafa. Për shembull, një nga oratorët në pelegrinazhin e sivjetshëm tha se Abaz Aliu ka luftuar për demokraci (?!).

Mirëpo, rituali i përvitshëm i ngjitjes në Tomorr dhe nderimi që i bëhet një heroi të huaj e ka një arsye…

Si erdhi deri këtu legjenda e Abaz Aliut dhe si u përjetësua miti i tij? Pse e bëjnë shqiptarët dhe sidomos komuniteti i bektashinjve këtë nderim? Cili është shqiptari i parë që shkoi në Qerbela dhe e solli emrin dhe bëmat e Abaz Aliut në Shqipëri dhe ngriti kultin e tij në një mal madhështor si Tomorri?

Ka shumë argumente dhe hamendësime që do të përpiqem t’i shtjelloj në vijim, mbështetur në një nga librat e rrallë kushtuar Abaz Aliut dhe bëmave të tij.

Abaz Aliu ka qenë një person real dhe një martir i besimit të tij. Varri i tij ndodhet në Qerbela të Irakut, atje ku ka ndodhur një nga konfliktet më të përgjakshme 14 shekuj më parë dhe ku Abaz Aliu u kthye në një hero. Naim Frashëri, poeti ynë kombëtar, i ka kushtuar një poemë madhështore betejës së Qerbelasë dhe heroit më të njohur të saj.

Një nga arsyet pse shqiptarët e zgjodhën dhe himnizuan figurën e tij mund të shpjegohet me nevojën e madhe që kishin ata për një hero të tillë dhe se u duhej një figurë e tillë humaniste dhe vetësakrifikuese në një rrugëtim me të përpjeta shumë të rrezikshme të historisë. Largësia kohore dhe gjeografike e Abaz Aliut në këtë rast nuk prishte asnjë punë. Ai ishte i imunizuar nga sulmet, nga mohimet dhe përbaltjet. Lavdërimet për figurën e këtij martiri nuk mund t’i kontestonte askush. Për të u fol vetëm me lëvdata ndaj dhe u shndërrua në një hero i adhurueshëm dhe i pa të metë për shqiptarët. Pavarësisht nga besimet. Prandaj dhe në Tomorr ngjiten çdo vit, jo vetëm bektashinjtë, por edhe shumë të tjerë. Lartësia ku ata ngjiten është magjepsëse…

***

Nga trojet e një letërsie të papërsëritshme me përmasa botërore, nga një prej vatrave të qytetërimeve më të lashta dhe më të qenësishme të njerëzimit, nga Irani pra, nga mëmëdheu i Fiduesiut, Saadi Shirazit, Omar Khajamit dhe Xhelaledin Rumiut, ka ardhur në Shqipëri dhjetë vjet më parë një libër për Abaz Aliun. Kryegjyshata Botërore Bektashiane mundësoi botimin në gjuhën shqipe të kësaj vepre në 1400 vjetorin lindjes së këtij personaliteti të shquar. Sepse libri aq sa është një dëshmi kulturore, është edhe një monument përjetësie dhe një urë e patjetërsueshme e miqësisë midis popujve.

Me kulturën iraniane ne kemi lidhje të hershme dhe të qëndrueshme për shkak të konjukturave të kohëve. Ka patur midis shqiptarëve një parapëlqim të habitshëm sidomos ndaj poezisë së autorëve të famshëm persianë, të cilët kanë ushtruar një ndikim të dukshëm në kulturën tonë kombëtare. Fakti që rilindësit tanë të mëdhenj ditën të përzgjedhin nga kultura persiane sumumin e saj, mendoj se ka qenë përcaktues në zhvillimin dhe pasurimin e letërsisë sonë.

***

Abaz Aliu ka hyrë dhe mbetur në kujtesën shqiptare si një personalitet i jashtëzakonshëm dhe mrekullibërës. Besimtarët myslimanë në përgjithësi, por në veçanti komuniteti bektashian shqiptar dhe botëror, e kanë Abaz Aliun një figurë emblematike tej mase të adhuruar.

Por unë doja të shtoja këtu se Abaz Aliu është një hero përtej kohërave dhe komuniteteve. Ai është një figurë emblematike e humanizmit. Rrallëkush personalitet tjetër i historisë njerëzore ka mundur t’u mbijetojë kohërave dhe të përkujtohet me kaq veneracion pas 1400 vjetësh. Mbase është i mjaftueshëm ky fakt për ta quajtur atë një hero të mbikohshëm, një hero të përjetshëm, një hero të idealeve më të larta njerëzore.

Duhet ta pranojmë se më së shumti deri më sot Abaz Aliu është konsideruar një hero mitik, një legjendë, dhe më pak një hero real i një epoke të caktuar. Ai ishte mbështjellë natyrshëm dhe pashmangshëm nga mjegullat e kohëve të rreth 14 shekujve dhe shumë pak dihej për jetën dhe bëmat e tij.

Është pikërisht një autor bashkëkohor, Bedri Shahini, që zhdaravit mjegullat e kohëve dhe na e sjell Abaz Aliun në ditët tona si një hero të gjallë, sa tokësor aq dhe të pavdekshëm, sa legjendar aq edhe të prekshëm.

Libri i Bedri Shahinit sjell kështu në botën shqiptare një prej heronjve më simpatikë dhe më frymëzues të njerëzimit – Abaz Aliun.

***

Ky libër është botuar rreth 20 vjet më parë në Iran duke u përkthyer më së pari në një gjuhë të përbotshme si anglishtja. Për botimin në gjuhën shqipe është përdorur versioni anglisht, fal vëmendjes dhe përkujdesjes së poetit tonë të njohur Xhevahir Spahiu që na e solli një kopje të këtij libri nga Irani gjatë një vizite pune në Teheran.

Dua të theksoj këtu se përkthimi në gjuhën shqipe është ndër të parët që i bëhet këtij libri për Abaz Aliun.

Autori i librit na kumton në parathënien e tij për vështirësitë që ka ndeshur në përpilimin e kësaj vepre. Kur i hyri punës për hartimin e kësaj vepre, autori pa se, pavarësisht nga popullariteti i jashtëzakonshëm i Abaz Aliut në botën myslimane, ishin mjaft të kursyera dokumentet dhe materialet autentike për heroin legjendar të Qerbelasë dhe se nuk kishte një libër të mirëfilltë për të. Kështu që autorit i është dashur të bëjë një punë të stërmundimshme studiuese dhe hulumtuese duke rrëmuar nëpër arkiva dhe biblioteka për formësimin e portretit të Abaz Aliut, për t’i bërë atij një portret sa më të besueshëm dhe sa më afër përfytyrimit të krijuar për të. Abaz Aliu vërtet është personazhi qendror i kësaj vepre, por në sfondin e saj është një epokë e tërë, janë fillimet e besimit islam, konfliktet që lindën dhe që përfunduan në beteja të përgjakshme si ajo e Qerbelasë në vitin 61 Hixhri.

Për të kuptuar punën e lavdërueshme që ka bërë autori për këtë vepër mjafton t’u hedhim një sy shënimeve bibliografike në fund të librit, ku janë 143 referime veprash dhe autorësh që japin dëshmitë e tyre për Abaz Aliun. Autorit Bedri Shahin i është dashur të bëjë një punë të mirëfilltë shkencore për të siguruar suksesin e veprës së tij, e cila në të ardhmen vetëm mund të pasurohet, por jo të tjetërsohet. Fjala vjen, në versionin shqip të këtij libri ne menduam dhe ndërfutëm poezinë e mrekullueshme të Naim Frashërit për Abaz Aliun. Po ta kishte ditur këtë fakt autori me siguri do të kishte futur dhe në botimin origjinal.

Por, autori duhet të themi se ka bërë edhe një punë të mirëfilltë artistike në kompozimin e veprës. Duke i shtuar dhe dashurinë që ushqen autori për heroin e tij, vepra ka fragmente dhe pasazhe të tëra poetike, me një gjuhë të pastër dhe të kuptueshme nga një masë e madhe lexuesish. Në mënyrë të veçantë përshkrimi i betejës së Qerbelasë është nga më të bukurit dhe më të argumentuarit në këtë vepër.

***

Abaz Aliu është një hero shumëpërmasor. Në radhë të parë, në libër lëvdohet devotshmëria dhe besnikëria deri në vetëmohim e Abaz Aliut në udhën që hapi Profeti Muhamed për njerëzimin. Në këtë besnikëri dhe devotshmëri nuk ka të bëjë aq shumë fakti se Abaz Aliu ishte bir i Imam Aliut dhe nip i Profetit Muhamed, por ajo që te mësimet e Profetit Abaz Aliu pikasi me zgjuarsi çeljen e një epoke që do t’i sillte vlera dhe progres shoqërisë njerëzore. Ndaj dhe ai u radhit vendosmërisht në krahun e Profetit dhe të mbrojtësve të mësimeve të Kuranit të madhërishëm, kundër deformuesve dhe armiqve të tij. Ky është dhe thelbi i personalitetit të Abaz Aliut, te besnikëria në idealet humaniste të Profetit, duke e manifestuar këtë besnikëri në çdo hap të jetës së tij deri në martirizim.

Në radhë të dytë, në libër theksohet dashuria e jashtëzakonshme e Abaz Aliut për vëllezërit e tij, Imamët e lavdishëm Hysenin dhe Hasanin si dhe për të gjithë të afërmit e tjerë të tij. Vetvetiu këtu shfaqet një vlerë e pazëvendësueshme njerëzore dhe e pavyshkur në asnjë rrethanë. Po ta përshtatnim në kohën tonë këtë dashuri të Abaz Aliut, do të thoshnim pikërisht këto fjalë: Janë hipokritët më të mëdhenj ata që gjoja betohen për ideale partish dhe për mëmëdheun dhe nga ana tjetër mohojnë prindërit, vëllezërit e motrat, pra njerëzit më të afërm të tyre.

Këto janë dhe tiparet më të spikatura që na e bëjnë tërheqës dhe të dashur portretin e këtij heroi.

***

Në emër të këtyre idealeve Abaz Aliu u sakrifikua në Qerbela kur ishte 36 vjeç. Dhe fitoi përjetësinë. Është provuar tashmë dhe është shprehur qartë nga filozofët dhe shkrimtarët se sakrifikimi për idealet më të mëdha njerëzore është në të vërtetë vetë përjetësia. Në Qerbela ai ka tre varre ku janë ngritur tre objekte kulti: atje ku i prenë dorën e majtë, atje ku i prenë dorën e djathtë dhe atje ku dha shpirt pasi i prenë kokën.

Qerbelaja ishte kulmi i konfliktit që kishte filluar të shfaqeje gjithnjë e më qartë, pasi Profeti ndërroi jetë.

Në librin për Abaz Aliun jepet momenti tronditës i vrasjes pabesisht të Imam Aliut, dhëndrrit të Profetit. Kjo ka ndodhur në natën e 19-të të muajit të shenjtë të Ramazanit. Imam Aliu shkoi në xhami për të udhëhequr faljen kolektive Fajr. Kur ai ngriti kokën pas uljes në gjunjë, i pabesi e goditi në kokë me shpatë. Sapo Imami ndjeu goditjen, buzëqeshi dhe tha:

“Për Zotin e Qabesë, unë kam fituar!”

Dhe Imami i lavdishëm fitoi, në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale dhe kujtohet me admirim brez pas brezi, ndërsa të pabesit nuk i kujtohet as emri.

Unë do të shtoj dhe një argument tjetër, më së shumti folklorik, por gjithsesi të vërtetë dhe të pamohueshëm për drejtësinë e idealit për të cilin u flijuan Imam Aliu, por edhe imamët e tjerë dhe vetë Abaz Aliu. Ka edhe sot pas rreth 14 shekujsh që hedhin teza pro dhe kundra, kush kishte të drejtë dhe kush jo, por ka një fakt mjaft kuptimplotë dhe të pakundërshtueshëm: Emri i Profetit, i Imamëve të lavdishëm dhe i Abaz Aliut që mbrojtën me jetën dhe gjakun e tyre mësimet e Profetit dhe Kuranin e Madhërishëm janë tej mase të përhapur në botën myslimane, ndërsa emrat e kundërshtarëve të tyre thuajse janë shuar. Jezidi dhe Mavijeja që udhëhoqën fushatat ushtarake kundër besimtarëve të devotshëm dhe që shkaktuan gjithë atë gjakderdhje kujtohen me përbuzje dhe janë bërë sinonim i ligësisë, poshtërsisë, pabesisë dhe i të pafeve. Ne nuk kemi dëgjuar deri më sot ndonjëherë që ndokush të mbajë emrin Jezid apo Mavije. Mendoj se ky është një fakt mjaft kuptimplotë i qëndrimit që mban shoqëria njerëzore ndaj të paudhëve dhe paudhësive. Është në fund të fundit ndëshkimi i paevitueshëm i historisë për njerëzit e ligj dhe pa ideale në jetën e tyre.

Me fjalë të tjera, nga distanca e 14 shekujve Abaz Aliu na kujton se atdheu dhe idealet zënë fill te familja, te njerëzit më të dashur që na rrethojnë.

Kur u flijua Abaz Aliu, Imam Hyseni shpërtheu në të qara dhe klithi:

“Oi, Oi! Ne të humbëm ty dhe i humbëm të gjitha, o Abaz Ali!”

Kjo është dhe fraza që përmbyll librin. Një frazë tepër tronditëse që paralajmëronte rrebeshet e mëvonshme që nuk do të kishin të sosur, madje edhe sot e kësaj dite…

***

Martirizimi i Abaz Aliut është as më pak dhe as më shumë ndërgjegjësimi në shkallën sipërore për sakrifikimin dhe vetëmohimin për një ideal të madh dhe të ndritur më së pari njerëzor. Në emër të këtij ideali janë martirizuar mandej të gjithë idealistët e mëdhenj që me vdekjen e tyre i kanë dhënë shtysa të fuqishme përpara shoqërisë njerëzore.

Në vitet ’30 të shekullit të kaluar një nga publicistët më të mirë dhe një nga njerëzit më përparimtarë të kohës, Ismet Toto, një orë para se ta varnin në litar në burgun e Gjirokastrës, shkroi një skicë poetike që mund të konsiderohet edhe si himn njerëzor. Skica e Ismet Totos mbyllet me fjalët amanet:

“Sa je gjallë digju dhe nëpër ato djegie lësho dritë dhe ngrohtësi. Bota nuk është e atyre që ngrohen. Bota është e atyre që digjen”.

Ne jemi mësuar midis nesh ta quajmë heroin e këtij libri “Abaz Aliu i Tomorrit” për shkak të portretizimit dhe përshkrimit të mrekullueshëm që i ka bërë poeti ynë kombëtar Naim Frashëri.

Abas Aliu zu’ Tomorë,

Erdhi afër nesh,

Shqipërija s’mbet e gjorë,

Se Zoti e desh.

Kështu thotë Naimi në një nga krijimet më të bukura të tij që është poema “Qerbelaja”.

***

Kohërat vijnë e shkojnë, ndërrohen qeveritë dhe sistemet, por Qerbelaja mbetet, nuk ka se si të harrohet. Ky është perceptimi shqiptar për një ngjarje epokale, por i parë më me vëmendje është mjaft më i gjerë. Rreth 1400 vjet më parë ndodhi Qerbelaja, për të cilën ne shqiptarët si rrallë komb tjetër në botë kemi fatin të kemi një vepër artistike, një poemë të shkruar nga një prej poetëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave të Shqipërisë, Naim Frashërit.

E, Qerbelaja prandaj dhe është mjaft e njohur midis ne shqiptarëve. Kur duam të përshkruajmë ndonjë situatë apokaliptike dhe me përmasa të jashtëzakonshme, ne themi: U bë si në Qerbela! Kjo do të thotë se ne kemi njohuritë e mjaftueshme për atë ç’ka ngjau këtu e 14 shekuj më parë. Dimë shumë a pak përse ndodhi ajo betejë, përse ngjau ajo kasaphanë, kush ishin shkaktarët e tragjedisë, domethënë përgjegjësit që duhet t’i ndëshkojë historia njerëzore dhe heronjtë e vërtetë të saj.

Ne e përkujtojmë dhe e nderojmë Abaz Aliun sepse te portreti i tij shohim shëmbëlltyrën e heroit të admiruar nga të gjithë dhe në të gjitha kohërat: një trim të rrallë, një humanist të jashtëzakonshëm, një adhurues të paqes e mbrothësisë, një ikonë të papërsëritshme të vlerave më të qenësishme njerëzore.

Exit mobile version