Site icon Telegrafi

AAV lëshoi licenca Aeroportit të Prishtinës pa paguar tarifat

Është shqyrtuar raportit i auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Autoritetit të Aviacionit Civil(AAV) për vitin e kaluar nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, për të cilin raport u tha se ky institucion i cili monitoron fluturimet ajrore në Aeroportin e Prishtinës ka lëshuar licenca pa u paguar tarifa. E gjetur tjetër nga raporti i auditorit për AAV është edhe angazhimi i një zyrtari që kryen dy funksione.

Kryetari i këtij Komisioni parlamentar, Besnik Bislimi theksoi se në pasqyrat e raportit të auditorit tregohet se ka dhënie të licencave për trafikun ajror ndaj atyre të cilët nuk i kanë kryer obligimet financiare, që sipas tij nuk do të duhej të ndodhte. “Auditori konstaton se të gjitha rekomandimet që i kanë bërë për vitin 2013 janë plotësuar në tërësi që është një sinjal i mirë. Gjithnjë duke u bazuar në pasqyrat e raportit të auditorit, shihet se ka vërejtje të vogla te dhënia e licencave, edhe ndaj atyre të cilët nuk i kanë kryer obligimet financiare dhe ngecje te kontrolli i brendshëm”, thotë Bislimi.

Deputeti Bislimi për AAV theksoi se bashkëpunimi i tyre i ngushtë për të punuar me auditorin është një shembull që duhet të ndi qet edhe prej institucioneve të tjera.

Ndërsa, Driton Gjonbalaj, drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil, para anëtarëve të Komisionit ka arsyetuar dhënien e licencave për Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, duke thënë se ky aeroport në atë kohë nuk kishte mjete e financiare. “Gjetjet e thatë se janë të vogla, të natyrës teknike shumica prej tyre. Kemi dhënë sqarime shtesë në Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm të cilat janë pranuar me mirësjellje. E përmendet rastin e disa licencave që janë lëshuar për kontrollorët e trafikut ajror. Për fat të keq kontrolli ajror ANP “Adem Jashari” në atë kohë nuk ka qenë në gjendje financiare t’i paguaj këto licenca”, theksoi Gjonbalaj.

Sipas tij, po të mos i lëshonin licencën nuk do të mund të ofroheshin shërbime t në qiellin e Kosovës dhe do të mbylleshin operimet në aeroport. “Ne kemi përzgjedhur t’i lëshojmë këto licenca sepse për ndryshe pa licenca shërbimet nuk do mund të ofroheshin në qiellin e Republikës së Kosovës, dhe për pasojë do të kishte mbyllje të operimeve në Aeroportin e Prishtinës”, theksoi Gjonbalaj.

Drejtori i Aviacionit civil ka treguar me këtë rast se në këtë institucion kanë një problem për shkak se një zyrtar kryen dy funksione, në mungesë të stafit.

Ndërsa, nënkryetari i këtij Komisioni, Ali Sadriu, ka kërkuar që aviacioni civil, duhet ta ketë një auditor të brendshëm, meqë Komiteti i auditimit duhet të funksionalizohet nga bordi i këtij institucioni.

Në pyetjen e anëtares tjetër të Komisionit, Valdete Bajrami, se a ka ndonjë punëtorë në Aviacion me kontratë mbi vepër, Gjonbalaj theksoi se as një zyrtarë nuk është pa kontratë të rregullt.

Kurse, pikat tjera të rendit të ditës, ku ishin paraparë të shqyrtoheshin edhe raporte të tjera të autitimit, mbetën për një mbledhje të ardhshme të këtij Komisioni. /Telegrafi/

Exit mobile version