Në Ditën Kombëtare për Persona të Pagjetur në Kosovë anëtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë bërë homazhe tek përmendorja e të pagjeturve në Prishtinë.
Kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj ka vendosur kurora lulesh pranë përmendores së të pagjeturve në Prishtinë.
Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Besnik Tahiti, tha se si parti politike do të mbështesin çdo iniciativë e cila merret për të zbardhur fatin e të pagjeturve.
“Po bëjmë nderime për të gjithë të pagjeturit, për mbi 1 mijë e 300 ende të pagjetur. Synimi ynë është që të vërtetën ta sjellim sa më parë. Kërkojmë nga institucionet e Kosovës që të punojnë me ngulm çdo ditë për gjetjen deri tek trupi i fundit të pagjetur, po ashtu zotohemi se si Grup Parlamentar dhe subjekt politik do të jemi në mbështetje të çfarëdo iniciative e cila merret për të zbardhur fatin e të pagjeturve. Është tepër me rëndësi që e vërteta e cila po tentohet shumë shpesh të devijohet, të saktësohet, duke e bërë këtë, duke e qartësuar të vërtetën e ndihmojmë historinë, mirëpo edhe të ardhmen e vendit. Ne bashkëjetojmë çdo ditë me dhimbjen e familjeve dhe zotohemi se do të jemi të përkushtuar gjithmonë që këtë kategori të familjeve ta kemi sa më afër në mënyrë që të zbusim dhimbjen e tyre”, tha ai. /Kp/Telegrafi/