Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) pas mos certifikimit të listës nga ana e KQZ-së, ka marrë vendim që t’i zëvendësoj emrat e tre kandidatëve për deputetë nga radhët e tyre që kishin probleme me ligjin.
Telegrafi mëson nga burime brenda kësaj partie, se kandidatët që janë zëvendësuar janë: Gani Dreshaj, zëvendësohet me kandidatin Bashkim Kaliqanaj, Shqipe Kastrati, zëvendësohet me kandidaten
Albana Kastrati, dhe Rrahim Ajeti zëvendësohet me kandidaten Amire Ajeti.
Theksojmë se të premten, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka certifikuar listat e kandidatëve për deputetë të gjashtë subjekteve politike, në mesin e tyre edhe listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate.
Ndryshe, në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), janë dorëzuar nëntë apele nga partitë e ndryshme politike. Shumica e këtyre ankesave kanë të bëjnë me mos-certifikimin e kandidatëve në listat zgjedhore, për kandidatë për deputetë.
Ankesa në PZAP, kanë dorëzuar edhe LVV dhe AAK, ndërkaq PZAP pritet që sot të publikoj vendimin rreth këtyre ankesave. /Telegrafi/