Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është shprehur e bindur se tashmë janë siguruar votat e mjaftueshme për Qeverinë Hoti, dhe se formimi i Qeverisë së re do të ndodhë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, në një deklaratë të dhënë për Telegrafin pohoi se votat janë të sigurta nga partitë të cilat tashmë LDK ka bërë marrëveshje.
“Votat i kemi të sigurta nga subjektet politike që kemi bërë marrëveshje, ndërsa formimi i Qeverisë Hoti do të procedohet në Kuvend pas akt vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.
Kurse sa i përket vendimit që duhet të marrë Gjykata Kushtetuese për mandatarin për formimin e Qeverisë, Lekaj pohoi se Lëvizja Vetëvendosje është duke bërë shumë presion.
“Lëvizja Vetëvendosje me veprimet e veta sidomos kabineti qeveritar janë duke bërë shumë presion, derisa vetë ministrja e Drejtësisë, nuk ka pohuar që do të pranojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kjo është e dëmshme për vendin dhe sistemin demokratik”, shtoi më tej Lekaj për Telegrafin.
Vlen të ceket që sipas marrëveshjes që kanë arritur LDK dhe AAK, kësaj të fundit i takojnë katër ministri në Qeverinë e ardhshme, e po ashtu AAK do të ketë edhe zëvendëskryeministrin e parë.
AAK pasi kishte arritur marrëveshje me LDK-në, kishte bërë publike edhe emrat e të propozuarve për ministër.
AAK për zëvendëskryeministër ka të propozuar Besnik Tahirin, Meliza Haradinaj për ministre të Punëve të Jashtme, Selim Selimi për ministër të Drejtësisë, Blerim Kuçi për ministër të Zhvillimit Ekonomik dhe Ramë Lika për ministër të Arsimit, Shkencën dhe Teknologjisë. /Telegrafi/