Telegrafi

AAK: Toka bujqësore po shkatërrohet

Enver Rusinovci Koordinator i Departamentit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në AAK tha se ruajtja e tokës bujqësore është një nga problemet madhore, jo vetëm strategjike por edhe kombëtare që lidhet me të sotmen dhe të ardhmen e vendit.

Këtij brezi, sipas tij nuk i takon të bëjë çka të dojë me tokën bujqësore dhe të venë në rrezik kultivimin dhe avancimin e bujqësisë, pasi që kjo u takon brezave në kontinuitet. “A është menduar vallë, se me çka do të ushqehet ky popull në të ardhmen? Shtetet e zhvilluara po i bëjnë prita detit për të fituar tokë bujqësore, ndërsa ne i zëmë ato dhe dita – ditës po e zvogëlojmë fondin e tyre që do të siguronte mundësi për zhvillim dhe mirëqenie”, tha ai.

Sipas tij kohëve të fundit po diskutohet jo pak për bujqësinë qoftë nga Qeveria e Kosovës, USAID-i, Komisioni Evropian, Banka botërore si përkrahja përmes granteve, investimet afatgjate dhe sanimi i saj, por sa është i saktë ky përcaktim, kur bujqësia në Kosovë po de – agrarizohet që në gjuhën e përditshme ‘Toka po shkatërrohet’.

Ai tha se gjatë vëzhgimeve në terren, në të gjitha drejtimet vërehen peizazhe të zymta bujqësore, toka të lëna djerrë, të mbushura me ferra ose aty-këtu ndonjë kultivim primitiv që nuk i përket bujqësisë kosovare, jo vetëm se ajo ka kushte për zhvillim, ka një traditë të lashtë, porse është edhe degë më rëndësi e ekonomisë së vendit për zhvillim ekonomik. “Në shumë analiza dhe dokumente strategjike thuhet qartë se një burim i rëndësishëm i vendit tonë për nxitje të zhvillimit është vet sektori i bujqësisë”, tha Rusinovci. /Telegrafi/