Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës përmes një komunikatës për media thekson se kur po shënohet 17 shkurti – 9 vjetori i shpalljes së deklaratës për pavarësi të Kosovës, mungojnë dëshmorët, martirët të cilët vdiqën për t’u arrit kjo ditë e shënuar.
GP i AAK-së thekson se sot mungojnë (jo për herën e parë) edhe luftëtarët e zotë që dhanë shumë në luftë, e sakrifikuan pas saj, po sakrifikojnë edhe sot po për këtë ditë.
“Sot mungoni prezenca juaj kryetar Haradinaj. Është shumë për t’u çuditur se si koha nga njëherë të tradhton, a ndoshta të është shkruar si i thonë, nga zoti, e ndihmohet nga robi për të qenë gjithnjë ‘kurban’ i vendit tënd”, thuhet në komunikatë.
“’Institucionalistët’ e shtetit tënd, nuk e ngrenë zërin, e nuk shpenzojnë asnjë mililitër ngjyrë të stilolapsit për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtarë për padrejtësinë që po të bëhet e për të kërkuar që ju t’i ktheheni vendit tënd pa asnjë kusht, as në përvjetorin e pavarësisë të cilën ju vet, bashkë me miq e mundësuat të arrihet”, thuhet më tej.
Sipas Grupit parlamentar të AAK-së sot këta ‘institucionalistët” e veshur në kollare e të buzëqeshur me falsitet, tentojnë ndoshta edhe të mohojnë kontributin tuaj e të shokëve.
“Por populli e di të vërtetën e dinë se kush jeni ju, prandaj ata do të festojnë e do të urojnë me juve #RamushHaradinaj. Sepse ju jeni #Kosova, të tjerët vetëm kanë përfituar në kurriz të saj. Urime 9 – vjetori i pavarësisë!”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/