Site icon Telegrafi

AAK reagon pas deklaratës së Borrellit për shkëmbimin e territoreve: E dëmshme për paqen dhe stabilitetin e rajonit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka reaguar pas deklaratës së Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Josep Borrell, i cili nuk e ka përjashtuar idenë e shkëmbimit të territoreve në rast të një marrëveshjeje eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

AAK ka thënë se deklaratat e Josep Borrell janë të dëmshme për paqen dhe stabilitetin e rajonit, transmeton Telegrafi.

“Pasaktësia dhe qëndrimi tendencioz i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Josep Borrell, lidhur me idenë e ndryshimit të kufijve, ashtu siç është deklaruar dje në media, është e dëmshme për paqen dhe stabilitetin e rajonit, dhe e cilësojmë si qasje destruktive në raport me rolin e tyre si lehtësues në dialogun e udhëhequr nga Amerika për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në reagimin e AAK-së.

Tutje në reagim AAK thotë se “secila përpjekje për të na rikthyer në një proces të paqartë, të pakornizuar në kohë, dhe pa parime dialoguese, do të jetë kundërproduktive, dhe do të refuzohet fuqishëm nga Kosova dhe populli i saj sikurse në të kaluarën”.

“Të cilët janë të përcaktuar për Kosovën në kufijtë e pavarësisë së 17 shkurtit 2008, ashtu siç na ka njohur shumica absolute e shteteve perëndimore demokratike, në krye me ShBA-në”./Telegrafi/

Exit mobile version