Telegrafi

AAK: Qeveria të mos i kërcënojë mësimdhënësit, por t’i kryejë obligimet

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është e shqetësuar me kërcënimet e Kryeministrit dhe Ministrit të Financave ndaj mësimdhënësve grevistë të cilët kanë hyrë në grevë, pasi Qeveria e Kosovës nuk e ka përmbushur në tërësi asnjërën prej kërkesave të parapara me Kontratën Kolektive, të nënshkruar nga kryeministri i mëparshëm.

“Departamenti i AAK-së për Arsim i përkujton kryeministrit se procesi i qeverisjes së vendit nuk ka filluar nga ky koalicion, prandaj obligimet e marra më parë duhet të përmbushen.

Mësimdhënësit e të gjitha niveleve, sipas ligjit për greva, kanë të drejtë të protestojnë për realizimin e qëllimeve të ligjshme, të cilat qeveria po i injoron në vazhdimësi.

Në një situatë të tillë të krijuar, përgjegjësinë kryesore për humbjen e mësimit nuk e mbajnë mësimdhënësit, por Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila në vend të një strategjie të mirëfilltë për dalje nga kjo situatë po e përdor gënjeshtrën si arsyetim për mospërmbushjen e obligimeve.

Departamenti i AAK-së për Arsim fton Qeverinë që në vend të kërcënimeve dhe shantazheve, t’i kryejë obligimet e veta kushtetuese dhe të kontribuojë në vendosjen e rregullit dhe të rendit ligjor në segmentin më vital të jetës, arsimimin e gjeneratave të reja”, thuhet në komunikatën e AAK-së. /Telegrafi/