Site icon Telegrafi

Koalicioni AAK-Nisma dhe të tjerët publikon listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka publikuar Listën e kandidatëve për deputetë që do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Listës së koalicionit i prin kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, pas tij vjen kreu i Nismës, Fatmir Limaj. Në Pesëshen e parë janë edhe Time Kadrijaj, Ardian Gjini dhe Nuredin Lushtaku.

Në njoftimin e AAK-së thuhet se, Lista e Koalicionit AAK – Nisma Socialdemokrate – Konservatorët – E30 dhe Ideal, me njerëz të devotshëm, gra dhe burra të dëshmuar, jo vetëm në përcaktimin e tyre për Shtet e Familje por edhe me përgatitje të admirueshme profesionale, është oferta më e mirë për Kosovën.

“Me politikanë me përvojë, pjesëtarë nga shoqëria civile, njerëz të dëshmuar në udhëheqje e në sektorë jetikë për vendin, janë garanca më e fortë e përfaqësimit të zërit të qytetarit në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

“Të fokusuar në cilësinë e një përfaqësimi sa më dinjitoz, gjinor, rajonal e sektorial, Lista e Koalicionit të udhëhequr nga kandidati për Kryeministër dhe bartës i listës, Ramush Haradinaj, është Listë për Kosovën Fituese”, thuhet në njoftim.

Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 9 shkurt 2025. /Telegrafi/

 

Exit mobile version