Site icon Telegrafi

AAK-PSD hap fushatën zgjedhore: Ne besojmë se fitorja jonë në 6 tetor është e pa-alternativë

“Si koalicion fitues, me programin më serioz, me të nominuarin për Kryeministër, Ramush Haradinaj, AAK dhe PSD”, thuhet në njoftimin e Aleancës, të cilët tregojnë se kanë bërë përgatitjet e nevojshme për fushatën zgjedhore që ka nisur sot.

“Ne besojmë që fitorja jonë në 6 tetor është e pa-alternativë, prandaj koalicioni ynë edhe fushatën do ta bëj si subjekt fitues, duke qenë se kemi çfarë të ofrojmë dhe kemi çfarë të dëshmojmë me 18 muajt e kaluar në qeverisje”, thuhet në njoftim.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u bën thirrje të gjithë anëtarëve, kandidatëve dhe simpatizantëve të saj që  përfshihen në fushatën e këtyre zgjedhje, që të kenë kujdes dhe të mos shkelin Rregullën Zgjedhore që përcakton dhe definon qartë mënyrën se si duhet bërë fushatën, e cila është nxjerrë duke u bazuar në ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.

Rregulla Zgjedhore me nr 13/2013, rregullon organizmin dhe mbajtjen e tubimeve publike, përmbajtjen e materialeve të shtypura të fushatës zgjedhore, rastet e veprimeve para ditës së zgjedhjeve, rolin e pjesëtarëve të sigurisë gjatë tubimeve publike, rolin  e KKZ-së, të drejtat e subjekteve politike dhe sanksionet.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shpreh gatishmërinë që të bashkëpunojë me të gjitha institucionet relevante për të siguruar një proces të rregullt zgjedhor.

AAK bën thirrje që fushata zgjedhore të zhvillohet në kushtet e një frymë demokratike, të barabartë, duke shpalosur programin qeverisës të koalicionit AAK-PSD, që përbën ofertën më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe jo me veprime të pahijshme që dëmtojnë procesin zgjedhor.

Exit mobile version