Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se do të bëjnë një propozim që legjislativi të mbajë një debat parlamentar ku përmes një deklarate do të mbështetët Rezoluta e Parlamentit Evropian, ku dënohet sulmi terrorist në veri.
Tahiri thotë se Rezoluta e Parlamentit Evropian si asnjëherë më parë e ka dënuar sulmin në Banjskë, transmeton Telegrafi.
“GP i AAK-së do t’i propozojë Kuvendit mbajtjen dhe miratimin e një deklarate politike për dy çështje; e para një rezolutë mbështetëse nga Kuvendi për rezolutën e Parlamentit Evropian, e cila si asnjëherë më parë e ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke e quajtur sulm terrorist dhe duke kërkuar përgjegjësi nga Serbia, e cila është rreshtuar përkrahë Rusisë”, tha ai.
Tahiri tha se rezoluta e PE-së e dënon në masën më të madhe Serbinë në sulmin terrorist në Banjskë.
“Nëse e marrim pikën e parë, e dënon me gjuhë shumë të ashpër dhe quan sulm terrorist dhe i bën thirrje vendeve anëtare që nëse nuk e kanë dënuar, ta bëjnë sa më shpejt”, deklaroi ai.
Ndryshe, Parlamenti Evropian u ka bërë thirrje Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian që të ndërmarrin masa ndaj Qeverisë së Serbisë nëse hetimet dëshmojnë për lidhje të drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë me sulmin në Banjskë, ose nëse autoritetet e Serbisë nuk do të tregojnë vullnet për bashkëpunim të plotë në procesin e hetimeve.
“Ftohet Këshilli që të miratojë masave të shënjestruara restriktive, përfshirë por jo edhe të kufizuara, ngrirjen e pasurisë dhe ndalimin e udhëtimeve për aktorët destabilizues në veri të Kosovës dhe liderët e rrjeteve kryesore të krimit të organizuar. Në këtë kontekst, ftojmë Këshillin që të ndjekë shembullin e Shteteve të Bashkuara për vendosjen e masave të shënjestruara kundër Milan Radoiçiqit”, thuhet në rezolutë.
Miratimi i kësaj rezolutë është mirëpritur nga Kuvendi i Kosovës. /Telegrafi/