Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është e tronditur nga të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm për keqqeverisje dhe shkeljet e ligjeve në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MBP) gjatë vitit 2015.
AAK thekson se sipas Raportit të Auditorit të Përgjithshëm, MPB-ja po vazhdon me shkelje të mëdha të procedurave dhe rregullave të qeverisjes së mirë. Po ashtu, nuk ka zbatuar rekomandimet e Auditorit që janë dhënë një vit më herët.
Për të gjitha këto shkelje dhe këtë nivel të lartë të keq-menaxhimit në qeverisje, financa dhe prokurorim, Prokuroria e Shtetit duhet që të ndërmerr menjëherë veprimet e saj ligjore dhe Kushtetuese për të vënë para drejtësisë përgjegjësit e këtij degradimi në MPB.
AAK thekson se dështimet e MPB-së, sikurse i ka gjetur Auditori i Përgjithshëm, përfshijnë: mosmenaxhimin efektiv të Ministrisë, mungesën e llogaridhënies, keqmenaxhimin financiar, shkeljet në Prokurim, vonesat në realizimin e projekteve, shkeljet ligjore me pozitat me ushtrues detyre, pagesa e pagës në kundërshtim me vendimin e Qeverisë, etj. /Telegrafi/