Telegrafi

AAK prezanton programin qeverisës, Haradinaj: E kemi modelin se si t’i adresojmë të gjitha sfidat

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka prezantuar sot programin zgjedhor për vitin 2021-2025.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj me këtë rast ka thënë se partia e tij në këto zgjedhje hynë me bindje për fitore dhe sukses.

“Aleanca hynë me një bindje në fitore dhe sukses në këto zgjedhje. Këtë sukses e bazon në punët e kryera në etapat e rëndësishme të jetës sonë, që nga periudhat e hershme të përpjekës për liri, qeverisjen në nivel komunal e nacional, dhe qëndrimet e mbajtura sa ishim në opozitë”, tha Haradinaj

Haradinaj ka thënë se AAK ka një program të plotë dhe të kompletuar.

Sipas Haradinajt, programi zgjedhor i AAK-së është më i mirë i mundshëm i cili ndahet në katër shtylla.

“E para është ekonomia. E kemi një plan të detajuar si të dalim nga kriza e shkaktuar nga Pandemia. E kemi ideuar krijimin e Fondit të ringjalljes prej 1 miliard eurove që është i realizueshëm e që garanton daljen nga kriza.

Mandej është zhvillimi ekonomik për 4 vitet e ardhshme që parasheh një zhvillim të qëndrueshëm të vendit. Shtylla e dytë është siguria, shteti i së drejtës. Shtylla e tretë janë fushat sektoriale duke filluar nga shëndetësia, arsimi, mjedisi, rinia, kultura e sporti.

Shtylla e katër është politika e jashtme, veprimet në funksion të fuqizimit të shtetit në arenën ndërkombëtare, njohjeve të reja, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe fuqizimi i marrëdhënieve me aleatët”, u shpreh Haradinaj.

Haradinaj shtoi se me programin e tyre, theks të posaçëm i kanë dhënë antarësimit të Kosovës në NATO dhe integrimit në BE. /Telegrafi/