Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), vlerëson se dështimi i sotëm për zgjedhjen e drejtuesve të OSHP-së, është pasojë e pazareve të paharmonizuara ndërmjet partnerëve të Qeverisë së Koalicionit dhe dëshmi se kjo qeveri të vetmin interes e ka vazhdimin e kapjes së shtetit dhe thellimin e fuqizimin e krimit e të korrupsionit.
Përmes një komunikate për media AAK thotë se përpjekjet e disa eksponentëve të pushtetit, se si opozita qenka fajtore për dështimin e pazareve të tyre, është një përpjekje e mjerë për të fshehur agjendat klienteliste brenda qeverisë, në përputhje edhe me një marrëveshje të kundërligjshme të bashkëqeverisjes.
“Qytetarët tashmë e kanë kuptuar se plotësimi i kritereve të liberalizimit të vizave dhe agjendave evropiane, është peng i keqqeverisjes LDK-PDK dhe i interesave të tyre individuale e grupore. Ngjarja e sotme është edhe një dëshmi se ky kuvend dhe kjo strukturë qeverisëse, e kanë humbur legjitimitetin për përfaqësimin e interesit qytetar dhe shtetëror”, theksohet në komunikatën e AAK-së. /Telegrafi/