Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, është diskutuar për situatën politike në vend.
Aleanca insiston në zbatimin sa më parë të obligimeve të marrura nga ana e Qeverisë së Kosovës në dialog, si një hap që përshpejton rrugën integruese të Kosovës e veçanërisht perspektivën për anëtarësim në NATO.
Nisja e procesit për anëtarësimin e Kosovës në NATO, duhet të trajtohet si urgjencë. Vetëm si anëtare e saj, Kosova është e sigurtë dhe me një të ardhme për zhvillim dhe stabilitet.
Gjithashtu, Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e sheh me shqetësim mosveprimin e Qeverisë ndaj kërkesave të minatorëve të Trepçës në ditën e tetë të grevës së tyre.
AAK vlerëson se kërkesat e tyre janë të drejta dhe legjitime si dhe i kërkon Qeverisë që sa më parë të marrë veprime për plotësimin e tyre.