Ka përfunduar mbledhja e jashtëzakonshme e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në të cilën është biseduar për iniciativën e kryeministrit Albin Kurti për zëvendësimin e taksës 100 për qind ndaj Serbisë me reciprocitet, si dhe për anulimin e projektit për autostradën e Dukagjinit.
Deputeti Gazmend Abrashi, ka thënë se AAK do t’i shfrytëzojë të gjitha metodat demokratike për të mbrojtur taksën 100 për qind dhe projektin e Dukagjinit, duke shtuar që së shpejti do të nisin mbledhjen e nënshkrimeve për seancën e jashtëzakonshme.
“Tema e bisedës ka qenë iniciativa e Qeverisë së re Kurti për heqjen e taksës, dhe heqjen e projektit për auto-udhën e Dukagjinit dhe disa teme tjera që kanë të bëjnë me grupin parlamentar. Dhe kemi marrë një qëndrim që AAK do t’i shfrytëzojë të gjitha metodat demokratike faktike me i argumentu, edhe me mbrojte tezën e taksës dhe projektin e Dukagjinit. Ne mendojmë që kemi shumë argumente me besu dhe do të gjejmë metoda edhe publikisht edhe përmes organizmit të bizneseve, me jap argumente të sakta pse taksa duhet me qëndru dhe pse projekti i autostradës për Dukagjinin duhet me vazhdu me u implementu siç është paraparë projekti”, ka pohuar Abrashi për media, përcjell Telegrafi.
AAK ka thënë se masa e reciprocitetit është absurde dhe se Kosova nuk ka mjete të aplikojë atë, AAK nuk i ka përjashtuar as protestat./Telegrafi/