Site icon Telegrafi

AAK mohon se një anëtar i saj ka qenë i përfshirë në rrahjen në LDK

Ka reaguar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, lidhur me raportimet se në përleshjen fizike të degës së LDK-së në Mat, ka qenë i përfshirë një anëtar i AAK-së.

AAK e quan shpifje lajmin se një person i cili ka marrë pjesë në këtë përleshje është anëtar i AAK-së.

Partia e kryeministrit Haradinaj thotë se këto shpifje janë përpjekje për të mbuluar defektet e brendshme në LDK.

Reagimi i plotë i AAK-së

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e respekton procesin e brendshëm zgjedhor në LDK dhe e konsideron çështje të brendshme të saj. Është në interesin e demokracisë në vend një proces i shëndoshë zgjedhor në të gjitha partitë politike, e edhe në LDK.

Por nuk mundemi të mos vërejmë se përplasjet e brendshme në LDK dhe përpjekjet e grupeve të caktuara për të marrë kontrollin e partisë, ndonjëherë duke degjeneruar edhe në përplasje fizike, janë shëmtuese për vet LDK-në. Për më tepër përpjekjet për të implikuar AAK-në në këto incidente janë shpifje dhe përpjekje për të mbuluar defektet e brendshme të LDK-së.

Personi i përmendur si i implikuar në Kuvendin Zgjedhor të Degës së LDK-së në Mat, nuk është anëtar i AAK-së! Ne si parti i kemi punët tona dhe pos respektimit të zgjedhjeve të brendshme në LDK, nuk kemi asnjë interes tjetër.

Exit mobile version