Telegrafi

AAK: Ministria e Shëndetësisë është shndërruar në ministri të eksperimenteve

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj në një konferencë për media ka thënë se Qeveria Kurti është duke keqmenaxhuar me sektorin e shëndetësisë.

Dreshaj ka thënë se kemi të bëjmë me një qeverisje ad hock, pa strategji pa prioritete dhe pa ofrim të perspektivës për të nesërmen për qytetarët e vendit.

“Asnjë dikaster i kësaj qeverise për dy vite nuk mund të merret si mostër për qeverisje të mirë”, ka thënë Dreshaj.

Dreshaj e ka quajtur Ministrinë e Shëndetësisë, ministri të eksperimenteve.

“Këtë konferencë e kemi fokusuar në gjendjen aktuale në shëndetësi. E para: Ministria e Shëndetësisë në qeverisjen Kurti ka qenë ministri e eksperimenteve. Shëndetësia nuk menaxhohet me ushtrues të detyrave. E dyta: pakënaqësitë deri më sot ishin të shumta. Mjekët, specializantët dhe administrata protestuan për padrejtësitë që ju bënë me ligjin e ri të pagave. Është penguese në organizimin e punës dhe diskriminuese mospagesa e kujdestarive dhe mos stimulimi për rrezikshmëri. Si AAK disa herë i kemi tërhequr vërejtjen qeverisjes Kurti për këtë diskriminim që dje rezultoi me protestë. E treta: është mëkat që qytetarët përballen me probleme në shëndetësi. Kemi mungesë të barnave, fashave, infrastrukturës, kemi listë të pritjes… dhe E katërta: brenga më e madhe është ikja e mjekëve”, theksoi Dreshaj.

Deshaj ka thënë se si Aleancë i rekomandojnë qeverisjes Kurti që për të dalë nga kjo situatë duhet që shëndetësinë ta shndërroj në prioritet, të nis reforma në sistemin shëndetësorë, të bëhet pagesa e kujdestarive, urgjent të plotësohet lista esenciale e barnave, dhe duhet të bëhet zvogëlimi i listës së pritjes. /Telegrafi/