Telegrafi

AAK merr pjesë në seancën e jashtëzakonshme për referendumin e Serbisë

Deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nesër do të marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, ku do të diskutohet për referendumin e Serbisë brenda territorit të Kosovës.

Kështu ka mësuar Telegrafi brenda burimeve të AAK-së.

Ndërsa, partia tjetër opozitare, PDK tashmë ka njoftuar se nuk do të merr pjesë në seancën e së shtunës. Sipas PDK-së, diskutimi për referendumin e Serbisë brenda territorit të Kosovës është i panevojshëm dhe se qeveria po përpiqet t’i shmanget përgjegjësive.

Ndryshe, nesër në orën 14:00 do të mbahet seancë e jashtëzakonshme, ku do të diskutohet në lidhje me synimet e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Kosovës.

Institucionet e Kosovës u kanë bërë thirrje shteteve demokratike që ta mbështesin Kosovën në përpjekjet e saj për të ndaluar veprimet e Serbisë që minojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe shtetësinë e Kosovës.

Me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Kuvendi i Kosovës nesër (e shtunë) në orën 14:00 do të mbajë seancë të jashtëzakonshme.

Diskutimi nga kjo seancë ka për qëllim të nxjerrë një rezolutë të përbashkët, në të cilën shprehet vullneti politik i deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbi çështjen e lartshënuar. /Telegrafi/