Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i ka dhënë publikisht mbështetje marshit për drejtësi që organizohet këtë të diel në Prishtinë.
Përmes një deklarate publike, nga AAK-ja kanë thënë se gjithmonë kanë besuar në pafajësinë e pjesëtarëve të UÇK-së dhe në vlerat e lirisë.
“E kemi mbështetur drejtësinë ndërkombëtare me qëllim të pastrimit të luftës së drejtë të popullit shqiptar për liri”, thuhet në komunikatën për media.
Tutje, nga AAK-ja kanë deklaruar se të marshosh për drejtësi, është e drejtë dhe vlerë demokratike dhe “ne gjithmonë do jemi në shërbim të vlerave dhe të drejtësisë”.
Të dielën e 2 prillit në Prishtinë, platforma “Liria ka emër”, ka organizuar marsh qytetar dhe solidarizues në mbështetje të luftës së UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e bashkëluftëtarët e tyre në Hagë.
Marshi do të niset nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe do të vazhdojë në drejtim të sheshit “Skënderbeu”. /Telegrafi/