Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), përmes një konference për media, e ka konsideruar lajm të jashtëzakonshëm nënshkrimin e deklaratës së Presidentëve të Kosovës dhe Malit të Zi, me cilën shtete respektive marrin për obligim të rishikojnë dhe të korrektojnë gabimet në procesin e demarkimit të kufirit me Malin e Zi në drejtimet Çakorr dhe Kullë.
“Fakti se njëra prej temave më të rënda po merr epilog, është rezultat i një pune intensive të përfaqësuesve të Institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Malit të Zi. E vlerësojmë poashtu, qasjen konstruktive që ka pasur Qeveria e Malit të Zi në adresimin e çështjeve të hapura në këtë proces.
Roli i kryetarit të AAK-së dhe Kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj në arritjen e kësaj marrëveshjeje ka qenë i një rëndësie vendimtare”, thuhet në njoftimin për media.
AAK duke i dhënë mbështetje të fuqishme kësaj marrëveshje merr përsipër që në bashkëpunim me të gjitha forcat politike dhe Institucionet e shtetit të angazhohet në finalizimin sa më parë të kësaj marrëveshje.
Më këtë rast AAK uron të gjithë qytetarët e Kosovës dhe i falënderon të gjithë ata që me angazhimin e tyre, kontribuuan në gjetjen e zgjidhjes për Demarkacionin, pa të cilët kjo nuk do të ishte e mundur. /Telegrafi/