Site icon Telegrafi

AAK: Lëshim i rëndë i Qeverisë së Kosovës ndaj strukturave ilegale

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thekson se marrëveshja për validitetin e letërnjoftimeve ilegale të lëshuara nga strukturat paralele serbe të Kosovës, qoftë edhe për një fazë, siç thuhet tranzicioni, është një lëshim tepër i rëndë i qeverisë së Kosovës.

Sipas AAK-së, njohja e këtyre dokumenteve të jashtëligjshme paraqet edhe problem të sigurisë dhe është koncept krejtësisht i gabuar për integrimin e komunitetit serb në institucionet e Republikës së Kosovës.

“Prandaj kërkojmë nga qeveria e Kosovës ta sqarojë saktë se çfarë është diskutuar dhe për çfarë janë marrë vesh në bisedimet e djeshme në Bruksel. Për më tepër kjo qeveri, pas marrëveshjes kundërkushtetuese për Asociacionin me Serbinë, nuk e ka legjitimitetin të bisedojë për kurrfarë çështjesh që lidhen me marrëdhëniet me Serbinë dhe ajo duhet që urgjentisht ta shfuqizojë marrëveshjen e bërë dje, me të cilin po i legjitimon edhe dokumentet ilegale të strukturave paralele të serbëve në Kosovë”, thuhet në reagimin e AAK-së. /Telegrafi/

Exit mobile version