Site icon Telegrafi

Paralajmërimet për shtrenjtim të energjisë elektrike, Lekaj: AAK është kundër, do të ketë edhe protesta

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se paralajmërimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike është absurd, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë edhe të mbajtjes së protestave.

Lekaj përmes një konference për media tha se rritje e çmimit të energjisë elektrike është e paarsyeshme dhe e papranueshme.

“Qeveria Kurti vitin e kaluar subvencionoi bizneset, ndërsa konsumatorëve familjar pavarësisht subvencionit ju rriten tarifat për më shumë se 100%. Pra, pësuan shumica e qytetarëve, sepse zgjidhjet nuk ishin adekuate. KEKU është në gjendje stabile, ku ka eksportuar miliona euro energji, dhe nëse kjo energji e eksportuar nga KEK nuk zbërthehet në të mirë të qytetarëve, cila është arsyeja e rritjes së çmimit të energjisë”, tha ai.

Lexo po ashtu ZRRE: Nga 1 prilli pritet të shtrenjtohet rryma për 14 për qind

“Cila është arsyeja e rritjes së çmimit të energjisë. Si është e mundur që vitin e kaluar qeveria Kurti subvencionoi bizneset, ndërsa konsumatorët familjarë pavarësisht subvencionimit iu rriten tarifat për më shumë se 100 për qind. Pra pësuan shumica e qytetarëve se zgjidhjet nuk ishin adekuate”, tha më tej deputeti i AAK-së.

Lekaj tha më tej se meqë është stina e pranverës Qeveria ka hapësirën kohore e buxhetore që të lidhë marrëveshje me shtetet fqinje për shit-blerje të energjisë, dhe që përmes mirëmbajtjeve, renovimit dhe rregullimit të gjeneratorëve e sistemit elektro-energjetik të krijojë stabilitet shtetëror, ku Kosova do të sigurohet në aspektin e energjisë për vitin 2023-2024.

Ai tha se AAK është kategorik kundër rritjes së çmimit.

“Prandaj, mbi këto që thashë, ne si AAK jemi kategorik kundër kësaj rritje dhe nuk do ta lejojmë që kjo të ndodhë….

“Këtë do ta bëjmë me veprimin tonë politikë, në Kuvendin e Kosovës nëpër komisionet përkatës dhe do të bisedojmë edhe me qytetarët që nëse e shohin, të kemi edhe protesta. Sepse me të vërtetë qytetarët tanë kanë mbetur të vetmuar dhe kjo qeveri vetëm e ka në mendim se si tua rëndojnë jetën qytetarëve dhe jo të ua lehtësojë”, ka thënë ndër të tjera Lekaj.

Ndryshe, nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) sërish kanë paralajmëruar se nga 1 prilli mund të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike. /Telegrafi/

 

Exit mobile version