Telegrafi

AAK konfirmon koalicionin me PSD-në

Këshilli Drejtues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, e ka votuar marrëveshjen për koalicion parazgjedhor me Partinë Social Demokrate të Kosovës.

Një gjë e tillë është bërë e ditur përmes një komunikate, ku thuhet se njëkohësisht, Këshilli Drejtues i AAK-së, që është organi më i lartë drejtues i Partisë, e ka mandatuar kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, për diskutime për zgjerimin eventual të Koalicionit parazgjedhor.

“Në arsyetimin e paraqitur nga kryetari Haradinaj për koalicion AAK-PSD, thuhet se bashkëpunimi mes forcave politike, në rastin konkret me PSD-në, është një moment më se i domosdoshëm në përpjekjet e krijimit të boshtit të fitores, kjo me qëllim të fuqizimit të Kosovës, përballë sfidave që e presin dhe të forcimit të institucioneve dhe rritjes së përgjegjësisë përballë qytetarëve”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

Ndryshe, sipas KP, një marrëveshje ndërmjet AAK-së dhe PSD-së pritet të zyrtarizohet sot në orën 15:00 përmes një konference të përbashkët për media dy partnerët e koalicionit Ramush Haradinaj e Shpend Ahmeti. /Telegrafi/