Site icon Telegrafi

AAK kërkon të votohet Ligji për Pensionistët kontributdhënës

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kërkuar mbështetjen e deputetëve të pozitës për plotësim-ndryshimin e ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.

Deputeti Shemsedin Dreshaj, në konferencë për media ka thënë se me këtë propozim parashihet të largohet neni diskriminues i këtij ligji, i cili parasheh që çdo person të ketë të paktën 15 vite përvojë pune para vitit 1999 në mënyrë që të përfitojë pensionin kontributdhënës.

Dreshaj ka njoftuar që kjo nismë do të hidhet në votim në seancën plenare të së enjtes, andaj ka kërkuar nga gjithë deputetët ta mbështesin.

“Me propozimin që ne kemi iniciuar, parashihet që pensionet kontributdhënëse t’i gëzojnë të gjithë pensionistët varësisht nga vitet që kanë punuar para datës 1 janar 1999. Siç e dini, kemi raste kur për një ditë, dikush që nuk ka arritur t’i bëjë 15 vite nuk e gëzon pensionin e merituar”.

“Ne besojmë se kjo iniciativë do të mbështetet edhe nga grupet tjera parlamentare, e sidomos edhe nga partia qe ka shumicen ne kete Kuvend. Kërkesë e jona është që të largohet ky kushtëzim jologjik, i dëmshëm dhe diskriminues për punëtorët të cilet viteve 90-ta ishin larguar dhunshëm dhe jashtëligjshem nga institucionet shtetërore të pushtetit të atëhershëm. Sa per informatë, kjo nismë legjislative ka kaluar të gjithë hapat e domosdoshëm, madje edhe llogaritjen e kostos buxhetore”.

“I kërkojmë mbështetjen gjithë kolegëve deputetë që t’i japin mbështetje kelëtij ligji”, ka përfunduar Dreshaj./Telegrafi/

Exit mobile version