Telegrafi

AAK kërkon mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë dhe ndërprerje të dialogut me Serbinë

Partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur mbledhje të kryesisë, ndërsa ka kërkuar mbledhje të jashtëzakonshme të Qeverisë për gjendjen e krijuar pas ngritjes së aktakuzave nga Dhomat e Specializuara dhe ndërprerje të të gjitha aktiviteteve që lidhen me procesin e dialogut me Serbinë, deri në një situatë të re.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie nga AAK-ja.

“AAK kërkon: Mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë për gjendjen e krijuar pas ngritjes së aktakuzave nga Dhomat e Specializuara. Qeveria duhet të ndërprejë menjëherë të gjitha aktiviteteve që lidhen me procesin e dialogut me Serbinë, deri në një situatë të re, mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë së Kosovës për situatën e sigurisë së përgjithshme, seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, në përkrahje të vlerave të UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë, takim të të gjithë spektrit politik për gjetjen e unitetit kombëtar në ballafaqimin me sfidat politike dhe kushtetuese, AAK pyet aleatët tonë strategjik ndërkombëtarë, se a jemi në rrugën e duhur për anëtarësim në NATO, apo këto ngjarje do e kthejnë Kosovën prapa”, thuhet në komunikatë.

Komunikata e plotë:

Deklaratë nga mbledhja urgjente e Kryesisë së AAK

–      Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po përcjellë me shqetësim zhvillimet pas aktakuzave të Dhomave të Specializuara për ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

–      AAK beson në drejtësi, në luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës dhe në pafajësinë e luftëtarëve të UÇK-së! Lufta e UÇK-së ishte luftë çlirimtare dhe mbrojtëse, kundër pushtetit kriminal e gjenocidal serb, dhe do të dëshmohet si shumë herë më parë, pastërtia e saj.

 –      AAK kërkon:

1.Mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë për gjendjen e krijuar pas ngritjes së aktakuzave nga Dhomat e Specializuara. Qeveria duhet të ndërprejë menjëherë të gjitha aktiviteteve që lidhen me procesin e dialogut me Serbinë, deri në një situatë të re

2.Mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë së Kosovës për situatën e sigurisë së përgjithshme

3.Seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, në përkrahje të vlerave të UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë

4.Takim të të gjithë spektrit politik për gjetjen e unitetit kombëtar në ballafaqimin me sfidat politike dhe kushtetuese

– AAK pyet aleatët tonë strategjik ndërkombëtarë, se a jemi në rrugën e duhur për anëtarësim në NATO, apo këto ngjarje do e kthejnë Kosovën prapa? /Telegrafi/