Telegrafi

AAK-ja vendos që të aplikojë modelin e primareve në proceset e brendshme zgjedhore

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë në të cilën janë marrë disa vendime të rëndësishme që kanë për qëllim demokratizimin edhe me tutje të partisë.

Përmes një komunikate për media, AAK ka njoftuar se ka vendosur aplikimin e modelit të primareve në parti.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vendosur sot aplikimin e modelit të primareve në parti. Kjo nënkupton që kandidaturat për deputetë te dalin nga primaret, që është një model i votimeve të brendshme për kandidatura për zgjedhje të përgjithshme si dhe kandidaturave për kryetarë komunash”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

“Është vlerësuar se një model i tillë është një hap tutje drejt demokratizimit të brendshëm dhe decentralizimit të vendimmarrjes, dhe si i tillë ka marrë mbështetjen e Kryesisë”.

Kryesia e AAK-së, ka diskutuar edhe për zhvillimet politike në vend, ku i është dhënë mbështetje procesit të arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare për njohje me Serbinë.

Po ashtu, në mbledhjen e sotme të kryesisë së AAK-së është përcaktuar edhe plani vjetor i punës së AAK-së për vitin 2023.

Çfarë janë zgjedhjet primare?

Zgjedhjet primare, janë procedura të brendshme që përdoren nga partitë politike për të përzgjedhur kandidatët që do t’i përfaqësojnë ato në zgjedhje. Pra procesi kontrollohet nga votuesi.  Zgjedhjet primare i ndihmojnë partitë politike të zgjedhin kandidatët që kanë më shumë gjasa të fitojnë zgjedhjet, duke u konsultuar me një numër të madh votuesish që ka të ngjarë të votojnë për ta.

Ato promovojnë një proces demokratik përpara mbajtjes së zgjedhjeve. U japin kandidatëve një mandat dhe legjitimitet të qartë pasi vendimi është marrë nga anëtarët e partisë dhe jo vetëm nga drejtuesit e tyre. U japin partive, kandidatëve dhe propozimeve të tyre një shikueshmëri të madhe publike, anëtarëve të zakonshëm kapacitet të madh vendimmarrës dhe i përfshijnë ata në strategjinë dhe vendimet kryesore të partisë. Ndihmojnë degët e partive të kapërcejnë elitat partizane jopopullore.

Ky lloj procesi zgjedhor, shërben për njohjen më të mirë të kandidatëve potencialë, se është një mundësi e shkëlqyer për të zgjeruar procesin e vendimmarrjes përtej kufijve të militantizmit të rreptë politik partiak.