Telegrafi

AAK-ja prish koalicionin me LDK-në në Viti

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës i kanë ndarë rrugët në Viti.

Ende pa i bërë dy vite bashkëqeverisje në komunën e Vitisë, AAK-ja ka prishur marrëveshjen e bashkëpunimit, pak para zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i AAK-së në këtë komunë, Faruk Nura, i cili tha për ‘Plus Tv’ se pas një takimi me Kryesinë e degës kanë vendosur të dalin nga koalicioni me LDK-në.

“Sot pas një takimi me Kryesinë, kemi vendosur ta prishim koalicionin me LDK-në, pasi kryetari Sokol Haliti nuk i ka përmbushur kushtet e marrëveshjes që kemi pasur, ne jemi larguar nga bashkëqeverisja”, tha ai.

AAK dhe LDK patën nënshkruar marrëveshjen për koalicion në komunën e Vitisë me të cilën AAK do të udhëhiqte me drejtorinë e Shëndetësisë.

Marrëveshja ishte arritur më 23 qershor të vitit 2020.