Këshilli Drejtues dhe Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kanë mbajtur mbledhje e cila është drejtuar nga kryetari i kësaj partie dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në këtë mbledhje janë konfirmuar tri vendime bazë në procesin e dialogut me Serbinë.
Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një postimi në Facebook nga faqja zyrtare e AAK-së, transmeton Telegrafi.
Vendimi i parë është respektimi i Kushtetutës, i dyti dialogu pa kushte me Serbinë, dhe gjithashtu taksa të mos hiqet deri në njohjen nga Serbia.
“Me votë janë rikonfirmuar tri principe bazë me të cilat do të udhëhiqet kjo forcë politike, kjo në raport me procesin e dialogut me Serbinë. Forumet më të larta të AAK-së janë përcaktuar: Respektim të Kushtetutës së Kosovës dhe Deklaratës së Pavarësisë së 17 Shkurtit; Dialog pa kushte me Serbinë dhe Taksa në produktet e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, të mos hiqet deri në njohjen e ndërsjellë!”, thuhet në postimin e AAK-së.
Ndryshe, kërkesë për pezullimin e taksës deri më tash ka pasur kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Në anën tjetër kryeministri Haradinaj, është zotuar se vendimi për taksën nuk do të tërhiqet. /Telegrafi/