Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë do të mbajë konferencë për media pas mbylljes së të gjitha vendvotimeve, kanë bërë të ditur zyrtarë të kësaj partie të cilët kanë thënë se konferenca do të mbahet në orën 21:00.
Anëtarja e kryesisë së AAK-së, Vasilika Zotaj Asllani ka ftuar qytetarët që ende nuk kanë votuar, të shfrytëzojnë të drejtën e tyre në kutitë e votimit.
“Nga komunikimet e vazhdueshme me shtabin e Aleancës në komuna kemi konstatuar se proces i votimit është i rregullt dhe nuk ka probleme të dukshëm që mund të cenojnë këtë proces. Qytetarët e Kosovës edhe njëherë konfirmuan atë e cila po kthehet traditë tani në Kosovë, se ata dinë të kenë një qasje demokratike ndaj gjithë procesit zgjedhor…Edhe njëherë u bëjmë thirrje atyre që ende nuk kanë votuar të dalin të votojnë. Një investim i tyre disa minutash është një investim për të ardhmen katërvjeçare”, ka thënë ajo në një konferencë për media./kp/Telegrafi/