Telegrafi

AAK fton në interpelancë ministrin Murati, shkak ulja e shtesave për pensionistët

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria Kurti, iu bëri një padrejtësi të madhe pensionistëve, të cilët janë kategoria shoqërore që rrezikohen më së shumti nga COVID-19.

Tahiri, përmes një postimi në Facebook, ka thënë “të shtyrë nga gjendja e tyre e rëndë, por dhe nga bisedat me ta ku ndihen të mashtruar dhe të zhgënjyer me këtë qeveri, Grupi Parlamentar i AAK-së do ta ftojë në interpelancë në Kuvendin e Kosovës Ministrin e Financave Hekuran Murati për të dhënë llogari për këtë vendim zhgënjyes”.

“Javën e kaluar ishim dëshmitarë të një padrejtësie që iu bë pensionistëve nga Qeveria e Kosovës. Nuk mjaftoi paaftësia për t’i siguruar vaksinat për ta, ku kjo kategori shoqërore janë kategoria më e rrezikuar nga Covid-19. Për ta rënduar edhe më tej gjendjen e tyre, tani edhe në aspektin financiar përveç atij shëndetësor, kjo qeveri paturpësisht vendosi që t’i ulë shtesat e pensioneve për ta për 1/3 nga shtesa e merituar nga qeveria e kaluar. Ky vendim e dëmton tej mase gjendjen e pensionistëve, që njihet si kategoria me gjendjen më të rëndë sociale. Të shtyrë nga gjendja e tyre e rëndë, por dhe nga bisedat me ta ku ndihen të mashtruar dhe të zhgënjyer me këtë qeveri, Grupi Parlamentar i AAK-së do ta ftojë në interpelancë në Kuvendin e Kosovës Ministrin e Financave Hekuran Murati për të dhënë llogari për këtë vendim zhgënjyes. Përveç që është jonjerëzore, është mashtrim që të marrësh vota me premtime për rritje të pensioneve, e t’i ulësh ato që në ditët e para të qeverisjes”, ka shkruar Tahiri.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit ka marr vendim që të rris vlerën prej 10 euro të pensioneve bazë për tre muajt e ardhshëm, por ta largoj shtesën prej 30 euro që ishte marr nga Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka njoftuar se pensionet të cilat janë nën vlerën e 100 eurove, do të bëhen 100 euro për tre muajt e ardhshëm, ndërkaq familjet me asistencë sociale do të marrin nga 30 për qind të ndihmës aktuale.

Ndaj këtij vendimi të Qeverisë kanë reaguar subjektet politike opozitare. /Telegrafi/