Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thekson se në Ditën e Evropës, që sigurisht është një ditë e shënuar për Kosovën dhe qytetarët e saj, s’kanë se si të mos shprehen të pakënaqur me trendët zhvillimore që janë parakusht i anëtarësimit të plotë të Kosovës në BE.
AAK thekson se fakti që Kosova, është e fundit në rrugëtimin e saj drejt Evropës së Bashkuar, e pamundëson çdo lloj ekzaltimi, edhe për rekomandimin e fundit për liberalizimin e vizave.
“Sot për sot, të vetmit faktorë të rëndësishëm në këtë rrugëtim, kanë mbetur vlerat evropiane dhe përcaktimi i palëkundur propërendimimor i qytetarëve të Kosovës, ndërkohë që ‘punët e shtëpisë’ janë në s’përputhje me këtë përcaktim. Lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe sundimi i rendit dhe ligjit, mbeten dy sfidat kryesore për institucionet e vendit”, thuhet në komunikatën e AAK-së.
Sipas kësaj partie qytetarët e Kosovës, meritojnë të trajtohen në mënyrë të barabartë me të gjithë popujt tjerë evropianë, dhe ata nuk mund të penalizohen për shkak të qeverisjeve të papërgjegjshme.
“Evropa nuk duhet që vetëm të na paraqesë kushte për anëtarësim, por edhe të na ndihmojë në realizimin e këtyre kushteve. Rruga jonë drejt anëtarësimit të plotë mund të jetë e gjatë, por ajo është e pa alternativë!”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/