Site icon Telegrafi

AAK e vendosur në “ndaljen e Serbisë që t’i fusë duart në Kosovë”

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë të ditur se sot ka zhvilluar takime të ndara me forumet më të larta të Partisë, Kryesinë dhe Kryetarët e Degëve, Aleancën e Gruas dhe Aleancën e të Rinjve, për siç thuhet “të koordinuar kundërshtimin pas protestave masovike të 14 Majit”.

Sipas njoftimit të AAK-së, pjesëmarrja e madhe në këtë protestë, është thënë në këto takime, dëshmoi vendosmërinë dhe forcën e ndryshimit.

“Në të tri këto takime është vendosur që Boshti Opozitar në Kosovë, gjithë veprimin e vet ta fokusojë në ndaljen e Serbisë që t’i fusë duart në Kosovë dhe në ndaljen e keqqeverisjes në vend, duke i konsideruar këto si dy telashet më të mëdha, me të cilat sot përballet Kosova”.

“Është konstatuar se ndalja e këtyre dy rreziqeve, shënon hapin vendimtar të ndryshimit të domosdoshëm në vend dhe AAK beson fuqishëm se qëndrueshmëria e këtij kundërshtimi, është garancë e ndryshimit”.

“Ka qenë qëndrim unanim që AAK-Nisma dhe partnerët tjerë të Boshtit Opozitar, të jenë të palëkundur në kursin aktual të veprimit politik të kundërshtimit të Demarkacionit dhe të Asociacionit, në versionin aktual, dhe të jenë të vendosur në përjashtimin e çdo koalicioni të mundshëm parazgjedhor”.

“Për më tepër, AAK vlerëson se propaganda, për gjoja afrimin e AAK-së me PDK-në, është pjesë e spekulimeve të disa strukturave politike, individëve dhe mediave të caktuara, të cilët janë kundër këtij ndryshimi dhe po e mbrojnë me mercenarizëm “statuskuon” në vend. AAK është përcaktuar për ndryshim”, thuhet në njoftimin e AAK-së. /Telegrafi/

Exit mobile version