Telegrafi

AAK e Pejës feston 16-vjetorin e themelimit

Dega themeluese e AAK-së në Pejë, ka shënuar 16-vjetorin e formimit. Në një ambient të hapur, në parkun e qytetit ‘Karagaç’, festës i është bashkuar edhe kreu i këtij subjekti, Ramush Haradinaj.

“Aleanca ka lindur në këtë qytet. Aleanca nuk i harron ditët e saja dhe nuk i harron qindra aktivistë të ditëve të para. Unë besoj në kualitetet tuaja, unë besoj tek ju. Kosova ka halle të mëdha, prej të cilave ajo e Demarkacionit e atakon drejtpërdrejtë Pejën. Por, ne së bashku do të pamundësojmë një dëm të tillë”, ka thënë Haradinaj.

Në këtë manifestim i pranishëm ishte edhe Ali Berisha, ish-kryetar i Degës dhe i ish-kryetar i Komunës së Pejës (tani deputet i Kuvendit të Kosovës).

“Aleanca e Pejës e di rrugën e fitores. Aleanca bëri punë për Pejën, punë të përbashkët me ju aktivistë të nderuar dhe eksperët të shumtë të këtij qyteti”, ka thënë Berisha.

Naim Sahiti, kryetar aktual i AAK-së në Pejë, me këtë rast tha: “I lamë Pejës projekte madhore. Qeverisja e Ali Berishës la rrugë katërkahore, qytet të ndriçuar, kamera të sigurisë, infrastrukturë rrugore, shkollore, mjekësore e të tjera. Peja sot ka stagnuar. Qeverisja e sotme merret veç me intriga, andaj AAK po bëhet gati që ta kthejë Pejën aty ku e ka vendin“.

Manifestimi në “Karagaç” vazhdoi me një turnir futbolli, me grill, muzikë nga Okteti “Peja”, fishekzjarrë dhe tortë solemne.