Telegrafi

AAK dhe NISMA thotë se në protestë ishin dhjetëra-mijëra qytetarë

Dhjetëra mijëra qytetarë nga gjithë Kosova, sot kanë dëshmuar qytetari dhe vendosmëri për të kundërshtuar gjendjen e rëndë në vend dhe fajtorët kryesor të kësaj gjendjeje, thuhet në një njoftim të AAK-së dhe Nismës ë Kosovës.

“Edhe në këtë protestë është vërtetuar se populli opozitar në Kosovë është në rritje. Kultura e demonstruar sot, nga qytetarë të të gjitha viseve, që si asnjëherë kishin mbushur sheshin ‘Skenderbeu’, është forca e boshtit ppozitar, se ai është në rrugë të mirë për të adresuar çështjet që sot e preokupojnë qytetarin e Kosovës, kjo pa dallim përkatësie.

Të gjithë ata qytetarë që sot, edhe pse mot me shi, vendosën të ishin pjesë e protestës në Prishtinë, ishin zemra e kundërshtimit të këtij pushteti dhe shpresa se Kosova do të kthehet në rrugë të mbarë.

AAK dhe Nisma i falënderon të gjithë ata që kontribuuan që kjo protestë të ishte masovike, e qetë dhe qytetare, duke përfshirë aktivistët e shumtë, mediat dhe opinionin publik, si dhe organet e rendit.

AAK dhe Nisma, janë të vendosur që rrugës së kundërshtimit t’i shkojnë deri në fitore të plotë, që është përfillja e vullnetit të sovranit, dhe ne do të jemi në shërbim të tij.

Protesta e sotme, ishte edhe një mundësi më shumë, që ata që ende hezitojnë t’i ngjiten këtij kundërshtimi qytetar, të reflektojnë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/