Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur një konferencë për media, ku përfaqësuesi i Koalicionit AAK-PSD, Selim Selimi, ka folur për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Selimi, para mediave, ka thënë se sipas raporteve nga shtabet lokale të Koalicionit AAK-PSD, deri në orën 15:00 për të votuar kanë dalë votues përafërsisht me numrin që kishin dalë në zgjedhjet e vitit 2017.
Selimi ka ftuar të gjithë qytetarët e vendit që të dalin dhe të votojnë, siç ka thënë ai, për një të ardhme më të mirë.
“Ne kemi disa informata nga shtabet lokale të Koalicionit 100% Shtet, që deri në orën 15:00 është raportuar për një dalje, e ngjashme me atë të vitit 2017. Dua t’i falënderoj ata qytetarë që kanë dalë të votojnë, dhe t’u kërkoj atyre që nuk kanë dalë, që të dalin të votojnë”, ka theksuar Selimi.
Po ashtu, ai ka falënderuar edhe KQZ-në, Policinë dhe Prokurorinë e shtetit për vëmendjen adekuate ndaj parregullsive të ndryshme që kanë ndodhur deri tani.
“Falënderojmë KQZ-në që e kanë mbuluar këtë fushatë, në këtë mënyrë kaq profesionale. Po ashtu, falënderojmë KQZ-në, Policinë dhe Prokurorinë që kanë qenë gjatë gjithë kohës me vëmendje ndaj parregullsive që tashmë janë raportuar”, ka theksuar ai.