Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se lirimi i Ramush Haradinajt nga autoritetet franceze ka lehtësuar gjithë popullin e Kosovës.
Muharrem Nitaj ka deklaruar se vendimi logjik i autoriteteve franceze të drejtësisë është mesazh i fortë që armiqtë e Kosovës sado të fortë që janë, është e pamundur ta gjunjëzojnë një popull që gjatë gjithë kësaj kohe ishte në mbështetje të Haradinajt.
Ai ka bërë të ditur se pritja e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, do të jetë qytetare e jo qeveritare.
“Madje as AAK s’do të dalë në aeroport, ndërkaq ne do ta presim me popullin në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, tha Nitaj.
E nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, theksoi se vendimi për lirimin e Haradinajt është dashur të merret më herët.
Ai ka ftuar qytetarët që sonte në orën 19:00-20:00 të dalin në shesh për të pritur Ramush Haradinajn në kthimin e tij nga Franca. /Telegrafi/