Site icon Telegrafi

A u kurdis ndeshja Kastrioti – Besa? Elshani mohon gjithçka

Drejtori i skuadrës, Lekë Kelmendi, theksoi se edhe zëra brenda federatës kanë thënë se loja ishte e kurdisur. “Ndeshja mes Kastriotit dhe Besës është e dyshimtë. Ka pasur shumë zëra, madje edhe nga njerëz brenda federatës që kanë qenë në ndeshjen mes 21-shit dhe Bashkimit se ajo ndeshje ishte e lëshuar”, u shpreh Kelmendi për Arenën.

Akuzat e drejtorit të skuadrës së kryeqytetasve i ka mohuar kategorikisht kapiteni i skuadrës së Kastriotit, Visar Xhemajli. Basketbollisti ferizajas tha se Besa ka luajtur në maksimumin e saj dhe rezultati i kësaj ndeshje ishte pasqyrë reale e angazhimit të dy skuadrave. “Besa luajti me gjashtë lojtarë. Ne kishim përparësi pasi kishim më shumë lojtarë në dispozicion dhe kishim mundësi për të pushuar, për dallim prej tyre. Gjithashtu ata nuk e patën përforcimin amerikan, të cilin tashmë e kanë larguar dhe ne i nënvlerësuam”, deklaroi Xhemajli.

Tutje, ai ka përgëzuar paraqitjen e Besës duke thënë se në fund ndikoi fondi i lojtarëve të pakët që ka Besa. “Unë e uroj Besën për paraqitjen dhe djelmoshat e tyre dhanë gjithçka nga vetja. Mirëpo, ata ishin vetëm gjashtë lojtarë dhe në fund u lodhën”, përfundoi Xhemajli.

Elshani mohon gjithçka

Nga ana tjetër, edhe kryetari i skuadrës së Besës, Arbër Elshani, ka mohuar këto akuza duke thënë se skuadra e tij ka dhënë maksimumin në këtë ndeshje dhe madje janë dëmtuar nga gjyqtarët duke akuzuar këta të fundit.

“Ne kemi luajtur me maksimumin tonë në këtë ndeshje. Madje në shumë raste jemi dëmtuar rëndë nga gjyqtarët në këtë ndeshje. Të gjitha ato që janë thënë nuk janë të vërteta”, deklaroi Elshani. Kastrioti pas fitores së shënuar ndaj Besës sigurojë ‘play-outin’. /Arena/Telegrafi/ 

Exit mobile version