Site icon Telegrafi

A thua përse arkitektët s’i tërheq qendra e Prishtinës

(Kush po e bënë urbocidin e kryeqytetit,vendimmarrësit, arkitektët dhe urbanistët apo të dy palët së bashku?)

U informova këto ditë se prapë për herën e tretë kishte dështuar tenderi i projektit për rregullimin e Sheshit të Pavarësisë pasi për këtë projekt nuk kishte interesim nga kompanitë projektuese gjegjësisht arkitektët dhe urbanistët. Zyrtarët komunalë prapë i ftojnë arkitektët që të kontribuojnë për qendrën e kryeqytetit dhe nuk i dinë shkaqet pse ata nuk po marrin pjesë në këtë tender-konkurs të projektimit pasi sipas tyre kjo do të ishte “nder” i madh duke marrë në konsideratë se ka edhe dy shpërblime për ata.

Nuk besoj në ndershmërinë e madhe të arkitektëve që veprojnë në Prishtinë pasi posaçërisht në dhjetëvjetëshin e fundit në kryeqytet dukshëm po vërehen veprimet e tyre,me siguri të kushtëzuar nga shumë faktor të tjerë për të cilat jam deklaruar publikisht disa herë. Sa për nderin dhe përkushtimin ndaj profesionit të arkitektit sot është e tepërt të diskutohet pasi trajtimi i tyre nga ana e vendimmarrësve është në nivel të ulët. Zyrtarët komunalë theksojnë se ky qytet duhet ta ketë një qendër ashtu siç e meriton e për këtë që një vjet janë përkujdesur “seriozisht”me përgatitjen e tenderit të dështuar.

Ideja e shfaqur disa muaj më parë për përgatitjen e një konkursi ndërkombëtarë për projektin e rregullimit të qendrës së Prishtinës do të ishte e mirëseardhur,e kishte përkrahjen e arkitektëve dhe profesionistëve tjerë në qershor 2008 në një takim më ata në sallën e Kuvendit Komunal. Nevojitej një qasje profesionale ndaj problemit të qendrës që të kemi një zgjidhje të qëndrueshme. Kjo është një praktik e rëndomtë në qarqet intelektuale të kohës së sotme në botë,nuk u veprua kështu përse?.

U publikuan tenderët për tre sheshe me premisa korruptive mu në qendrën e kryeqytetit thua se ajo nuk duhet të ishte një tërësi urbane e studiuar mirë në një konkurs ndërkombëtar,me ç’rast do të fitohej një zgjidhje e dëshiruar. Si është e mundur të kemi sheshin Adem Jashari, Zahir Pajaziti e së fundit përsëritja e tenderit pas tri “tentimeve” për Sheshin e Pavarësisë kur aty ekzistojnë edhe përmendoret e Skënderbeut dhe të Nënë Terezës. Le të inkorporohen të gjitha këto simbole në një tërësi urbane të cilën e kemi trashëguar si një qendër të kryeqytet duke vlerësuar kreativitetin e projektantëve arkitektonik dhe urban e jo duke kushtëzuar shpërblimin e vendit të parë me punimin e projektit kryesor (punë rutinore), kjo praktikë nuk ka sens artistik dhe është nënçmuese për projektantët.

Kjo duhej të ishte arsyeja profesionale përse arkitektët s’i tërheq qendra e Prishtinës gjegjësisht Sheshi i Pavarësisë i cili edhe për herën e tretë dështoi. Zotëri vendimmarrës vetëdijesohuni dhe korrigjohuni,veproni ashtu si është praktika ndërkombëtare. Vetëm analizoni kushtet e tenderit të ofruara nga ana e komunë me disa shpërblime skajshmërish nënçmuese për pjesëmarrësit – arkitektët dhe urbanistët. Ky proces nuk ka lidhje me atë çka është diskutuar në muajin qershor të vitit 2008.

Ana tjetër e problematikës së rrugës kryesore të kryeqytetit është shumë më afër realitetit në të cilin jetojmë. Si duket veprimet aktuale me tre “tenderë” parciale për një qendër të kryeqytetit iu konvenojnë disa grupeve të njerëzve në pushtet të cilëve kurrë nuk iu kanë interesuar problemet urbane të kryeqytetit posaçërisht të qendrës primare të saj. Nëse do të kishte vullnet politik për të vepruar kjo çështje do të ishte zgjidhur që moti para shumë viteve pasi kërkesa dhe iniciativa profesionale si dhe para ka pasur në vitet e pas luftës.

Kthimin e rrugës Nëna Terezë në shëtitore këmbësorësh e kanë përkrahur të gjithë dashamirët e qytetit pa marr parasysh kritikat jo serioze për materialet e përdorura “radioaktive” si dhe mënyrën e vendosjes së tyre. Më parë duhej të bëheshin përgatitjet profesionale urbane,pasi Prishtina ka pasur kapacitete të tilla të gërshetuara në numrin e madh të arkitektëve dhe profileve tjera që me punë të përkushtuar do të kontribuonin për qendrën e kryeqytetit. Ka shumë mundësi teknike dhe financiare për të përthekuar këtë problematik me studime dhe analiza urbane të mirëfillta e jo të krijohet kaos në komunikacion si është gjendja momentale në Prishtinë.

Mendoj se kjo është një ndërmarrje shumë e rëndësishme,bartës duhet të ishte Kuvendi i Republikës së Kosovës gjegjësisht Qeveria me organet ekzekutive të sajë e jo të lejohet komuna e Prishtinës kështu të veproi me Sheshin e pavarësisë. Natyrisht edhe kontributi i shoqërisë civile është i domosdoshëm dhe i mirëseardhur. Duhet të shpallet konkurs ndërkombëtar mirë i përgatitur me një “juri” gjithashtu ndërkombëtarë i cili do të zgjedh punimin ma të mirë për realizim.

Natyrisht kjo merr pak kohë të cilën pushtetarët tanë e kanë me bollëk por do të fitojmë një zgjidhje të qëndrueshme për Sheshin e pavarësisë si kompleks ku do të përthekohen të gjitha elementet historike, hapësinore, urbanistike, arkitektonike, arkeologjike, skulpturore etj., që do të përmbyllën me identitetin e Kosovës. Shpenzimet materiale do të jenë minore në krahasim me efektet e arritura. Kjo procedurë njëherë afirmon shtetin ma të ri në qarqet shumë të rëndësishme politike dhe intelektuale në botë.

Më duhet të theksoi se shumica e arkitektëve të vërtetë janë të interesuar për një proces të mirëfilltë profesional për zgjidhjen e qendrës së kryeqytetit ashtu si është sugjeruar në takimin e qershorit 2008 e jo të jenë pjesëmarrës në “lojërat” e ndryshme ndoshta me prapavija politike me disa përfitime të mjera materiale që janë duke ndodhur në kryeqytet e në shumë qytete tjera të Kosovë në fushën e arkitekturës,urbanizmit dhe planifikimit hapësinor.

(Autori është arkitekt i pavarur)

Exit mobile version