Telegrafi

A rrezikohet kryesimi i CEFTA-s?

Njohës të çështjeve ekonomike thonë se pas situatës politike të krijuar në vend, Kosova rrezikon të humbë kryesimin e Marrëveshjes për Tregti të Lirë, (CEFTA) për vitin 2011.

Tërheqja e Lidhjes Demokratike të Kosovës nga koalicioni me Partinë Demokratike ka bërë që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ministri kjo që ka bërë përgatitjet për të udhëhequr këtë mekanizëm, të mbetet pa ministër dhe staf politik.

Berat Rukiqi, sekretar i përgjithshëm në Odën Ekonomike të Kosovës, pohon se përveç problemeve juridike që ka Kosova me udhëheqjen e CEFTA-s, tashmë këtij procesi i janë shtuar edhe problemet e brendshme politike.

“Pastaj kërkohet autoriteti politik gjatë mbledhjeve të komitetit të përbashkët të CEFTA-s dhe në të njëjtën kohë, edhe t’i qasen më tutje këtij problemi duhet një vendimmarrjeje, e cila është e nivelit më të lartë politik”, thotë Rukiqi.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, me ketë gjendje përmend mundësinë e humbjes së kryesimit të CEFTA-s.

Shahini vlerëson se situata e krijuar politike ka dërguar mesazh të keq te mekanizmat ndërkombëtarë dhe vendet e rajonit, prandaj, jo stabiliteti politik, thotë ai, ka krijuar turbulencë edhe për menaxhimin e CEFTA-s. /Rel /Telegrafi/