Site icon Telegrafi

A po prishet PDK-ja?

Ashiqare, u pa që Isa Mustafa dhe vet kryesia dhe kuvendi i LDK-së ishin të njëmendët, pra, e patën përnime, për prishjen e koalicionit qeverisës me PDK-në, edhe në nivel qendror edhe në nivel komunal. Prishja e koalicionit mes PDK-së dhe LDK-së në nivel komunal veç është punë e kryer.

Shumëkush spekulon e manipulon për arsyet e kësaj ndarje. Por, një gjë dihet: për tridhjetë ditë rresht, Isa Mustafa, kryetari i komunës së Prishtinës, kritikoi koalicionin në nivel qendror PDK-LDK. Pas datës 15 nëntor 2009, përmes qëndrimit të tij, ai e forcoi bindjen e tij, por jo vetëm në Prishtinë. Tashti, edhe pse mund të ndodhë që zyrtarisht, Fatmir Sejdiu të vazhdojë të jetë President i Kosovës, por edhe në postin e ngrirë të kryetarit të partisë së tij (LDK), realisht, Presidenti i Kosovës dhe Kryetari i LDK-së do të jetë Isa Musfata. Për çdo gjë që do të ndodhë e nuk do të ndodhë në Kosovë, nëpërmjet LDK-së, do të jetë Isa Mustafa ai do që do të vendos (edhe pse ka mundësi që ai të mos e bëjë këtë punë në publik, para medieve).

Koalicioni në nivel qendror PDK – LDK nuk u prish të premten, më 20 nëntor 2009. Disa këtë e quajnë si shpëtim të LDK-së e disa e quajnë si shpëtim të PDK-së. Por, situata në terren ka të ngjarë që të dërgojë në përfundimin që PDK ndoshta po shkon drejt shkapërderdhjes, drejt prishjes.

Marrja qëndrim për të prishur koalicionin në nivel qendror, dhe vetëm pas disa orëve të ndodhë tërheqja e atyre fjalëve, pra, e atij qëndrimi, sjell në pikëpyetje besueshmërinë në këtë parti. Sidomos kur jemi në raundin e dytë të fushatës zgjedhore për kryetar dhe kuvende komunale 2009, që do të mbahet më 13 dhjetor 2009. Matematikisht, nëse LDK-ja bën koalicion me AAK-në atëherë, në esencën e vet të qeverisjes komunale, vetëm komuna e Ferizajt po mbetet e PDK-së. Të gjitha komunat e tjera të rëndësisë vitale, si Prizreni, Gjilani, Gjakova, Peja, Mitrovica dhe disa të tjera, lehtë mund të qeverisen nga LDK, nga AAK, ose nga LDK-AAK. Kjo me automatizëm e sjell qeverisjen në nivel qendror mes PDK-së dhe LDK-së në pikëpyetje. Qeveria dhe qeverisja e tillë bëhet e padobishme, e pa përfaqësim qytetar dhe e pavlerë. Kjo i bie sikur Barak Obama si President i SHBA-ve të përzgjidhte Gjorgj Bushin për Sekretar të Shtetit.

Edhe një herë, sipas situatës në terren (në qeveri komunale), vazhdimi i qeverisjes në nivel qendror PDK-LDK do të jetë nonsens, i pakuptimtë. Për më tepër, kjo më nuk do të jetë Qeveri e themeluar nga votat e qytetarëve të Kosovës, por do të jetë Qeveri e themeluar nga ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell (Christopher Dell).

Kur jemi te Kristofer Dell, duhet të themi diçka. Para disa dite, ai u pa i ulur dhe duke marr pjesë në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Kosovës. Ai propozonte dhe argumentonte që PTK duhet të privatizohet. Kjo situatë ndoshta mund të jetë dobiprurëse për Qeverinë e Kosovës dhe për PTK-në. Por, megjithatë, këtu dalin disa çështje: cili është interesi i Ambasadës Amerikanë në Prishtinë, ose cili është interesi i ambasadorit Kristofer Dell, që të privatizohet PTK-ja? Qytetarët e Kosovës kanë jashtëzakonisht përvojë të keqe me privatizimin në Kosovë, aq sa lirshëm mund të thuhet që është bash procesi i privatizimit proces i cili e shkatërroi ekonominë e Kosovës. Po të fliste ambasadori Kristofer Dell për nevojën e ndryshimit të procesit të privatizimit në Kosovë, atëherë ndoshta kjo do të kishte kuptim. Përveç kësaj, Kosova është shtet, i pavarur dhe sovran (e tillë çfarë është). E tash, cila është ajo Qeveri (kudo në botë) që në mbledhjet e saj merr pjesë si palë përbërëse edhe ndonjë ambasador (cilido qoftë) dhe e ka rolin kryesor aty? Ambasadori Kristofer Dell nuk ishte në cilësinë e vëzhguesit në atë dreq takim Qeverie.

Shkurt, nëse ndodhë që në raundin e dytë për zgjedhjet komunale në Kosovë të datës 13 dhjetor 2009, LDK dhe AAK të arrijnë bashkëpunim, atëherë është interes, nevojë dhe domosdoshmëri e qytetarëve të Republikës së Kosovës që të shpallen zgjedhjet e përgjithshme sa më shpejt që të jetë e mundur. Sepse, po e përsërisë, bashkëpunimi i tillë në terren e bën të pakuptimtë nevojën për vazhdimin e bashkëqeverisjes politike në nivel qendror mes PDK-së dhe LDK-së. Arsyet se koalicioni PDK-LDK nuk bën të prishet në prag të hapjes së gjykimit të shtetit të Kosovës nga GJND-ja janë gjithashtu të pakuptimta, nonsens. Sepse çështja e rregullimit të pushtetit partiak-politik (Qeverisë) është çështje e brendshme vendore, si gjithkund në botë.

Tashti, nuk dua të spekulojë se si prania amerikane në Kosovë në mënyrë tradicionale mbetet në anën e LDK-së. Por, është e pakuptimtë se si ndërhyrja amerikane në Kosovë shkon deri në nonsens, edhe me rastin e shpëtimit të koalicionit qendror PDK-LDK, edhe me privatizimin e PTK-së. E tash, kjo ndërhyrje e ka koston e vet. Sipas meje, ajo quhet PDK. Sepse çdo ditë e kaluar në këtë Qeveri do të thotë vota më pak për PDK-në e vota më shumë për LDK-në.

Exit mobile version