Bashkimi Europian i cili në vitet e 1950-ta mori nisjen e vet me Komunitetin Europian të Qymyrit dhe të Çelikut dhe me Traktatet e Romës, për burrështetasit që atëherë e çonin përpara, nuk ishte vetëm një projekt shprehimisht ekonomik, por në vijë të parë një projekt politik. Ishte konsekuenca që ata kishin nxjerrë nga historia e Europës në gjysmën e parë të shekullit 20. Një motiv i rëndësishëm krahas përfshirjes së Gjermanisë ishte edhe tejkalimi i nacionalizmit me qëllim të përafrimit të shteteve, të cilat më herët kishin qëndrime armiqësore ndaj njëra tjetrës. Ky motiv nga koha e themelimit të BE-së duket ndërkohë të ketë rënë në harresë, me gjasë sepse mendohet se problemet e atëhershme të jenë te tejkaluara. Bindja se zbatimi i strukturave supranacionale do t’i bëjë në fund pyetjet e tilla si të panevojshme, është i përhapur gjerë e gjatë.
Legjitimiteti i problemit të BE-së i ka dy aspekte të ndryshme: apatia, e cila para pak vitesh çoi në një dalje të ulët të europianëve në zgjedhjet për Parlamentin Europian dhe euroskepticizmi i madh. Mosdalja në zgjedhje e shumicës ishte një reflektim i frustrimeve nga gjendja në të cilën ka ardhur BE-ja viteve të fundit, dhe bindja e krijuar te njerëzit se dalja e tyre në zgjedhje nuk do të sjellë ndryshime të mëdha.
Euroskepticizmi, në anën tjetër, dhe kërcënimi në rritje i popullizmit antieuropian, ka ardhur për shkak të bindjes së krijuar se BE-ja nuk është e aftë të gjejë zgjidhje, por është vetë pjesë e krizës. Edhe pse Europa përfaqëson shpresën tonë për një Europë të gatshme të jetë pjesë e garës botërore në ambientin e vështirë ditëve të sotme, ky problemi i euroskepticizmit mund të sfidohet, nëse vetë BE-ja do të shfaqë punë më të mirë. Duke marrë për bazë gravitetin e krizës ekonomike, ka ardhur koha si asnjëherë më parë që BE-ja të dëshmojë forcën e saj. Nuk është koha që t’iu thuhet euroskeptikëve se BE-ja e fortë është e rëndësishmë, por të binden se BE-ja mund të sfidojë të gjitha krizat, me të cilat ballafaqohen europianët.
Samiti i fundit europian në të cilin u akordua për një regjim të fortë mbi sistemin e eurozonës, me ç’rast rezultoi pa mbështetjen e Britanisë së Madhe, në opinionin europian nuk ka kaluar pa u grushtuar dhe kritikuar si “kompromis”, i cili Europës i humbi edhe një shans për të vënë theks me të thellë, më shpresëdhënës për të folur me një zë. Në një botë, ku Kina dhe India po shtojnë rolin e tyre ndikues në shumë çështje, nuk ka shume kohë që njerëzve t’iu mbushet mendja se BE-ja duhet të jetë më e fuqishme. Por BE-ja duhet të tregojë se ka një lidership të vendosur për zgjidhjen e krizave të fundit globale.
Tashmë, realisht mund të aludohet se muskulatura europiane sikur ka filluar të dobësohet dita ditës. Herë kemi shumë Europë, e herë tjetër shumë pak Europë, e për të thënë me fjalë të tjera, shumë vende europiane janë të përfaqësuara në format kryesore të botës, me shumë zëra më vete. Në këmbim të kësaj, nëse shprehemi në gjuhën e peshës dhe ndikimit specifik, nuk ka mjaftueshmërisht Europë të Bashkuar.
Në fillim të viteve tetëqind, një ish ministër francez i Marrëdhënieve me Jashtë, Jean François-Poncet, deklaroi publikisht se Franca dhe Anglia do të braktisnin vendet e tyre të përhershme në Këshillin e Sigurisë të OKB-së, për një vend të përbashkët në Bashkimin Europian – kështu Gjermania nuk do të orvatej tashmë të bënte veprime të tilla apo edhe Italia nuk do të binte dakord që të mbetej jashtë, edhe pse bëhet fjalë për forcimin e identitetit europian, në një mënyrë të mahnitshme. Sigurisht, nuk ndodhi tamam kështu. Franca dhe Anglia nuk qenë të gatshme të sakrifikonin pak nga vetja apo edhe të braktisin statusin e privilegjuar “atomik ndërkombëtar”. Natyrisht që sot janë edhe më pak të gatshëm që ta kryejnë këtë veprim, në emër të një Bashkimi, që gëzon më pak se kurrë ndonjëherë mbështetje kaq të ulët popullore, e aq më tepër në ishujt britanikë.
Le të jemi të arsyeshëm: pa as me të voglin dyshim, Shtetet Bashkuara të Amerikës as që mund të krahasohen me një Bashkim që mbetet gjithnjë e më larg së shndërruari në Shtetet e Bashkuara të Europës. Nëse marrin në shqyrtim dy anët e Atlantikut – mes kontinentit “Po, mundemi” dhe të kontinentit “Po, ka gjasa të ndodhë”, dallimet janë shumë të mëdha, e për këto arsye, shumë europianë i shmangën çdo lloj përballjeje apo diskutimi për këtë çështje. Thjeshtë, mungon diçka që ta mëshirojë vetë Bashkimin Europian. Për pasojë, ka më pak “Bashkim” në Europë dhe më pak Europë në botë.
Sot Europa është e pranishme si një aktore ekonomike, por jo si një aktore politike e ndërkombëtare. Ndaj, një zë i njësuar europian në institucionet multilaterale do të bënte që të dukej me e qenësishme së kurrë. Siç edhe europianet kërkojnë, me qëllim që të vendosin në vend besimin dhe sigurinë e humbur në vetën e tyre, në krenarinë dhe shpresën e të gjithëve bashkë, ata duhet të përfitojnë nga rasti që të bëjnë rregullimet dhe përputhjet e nevojshme në sistemin multilateral të shfaqur prej tyre. Duhet ta bëjnë këtë edhe në kërkim të virtyteve që përfaqësojnë. Në një botë të tillë globale, vetëm kështu një Europë e bashkuar, do të jetë ajo Europë, e cila do të ketë sy e veshë në një fytyrë të vetme, pra, të shprehet e shfaqet si një e terë.