1. Përvojat evropiane në protestime
Që në fillim duhet cekur se në gjithë Evropën është evident një dukuri e ndryshimit të perceptimit të politikës dhe ngjarjeve që kanë të bëjnë me problemet e natyrës së qëllimeve, që po i poston politika e tanishme globale. Ky perceptim, pas rënies se Murit e Berlinit (1989), dalëngadalë po e ndryshon gjithë botëkuptimin e të kuptuarit të politikës dhe qëllimeve të saja në gjithë globin.
Për të argumentuar dhe ilustruar tezën e mësipërme, ia vlen të përkujtojmë protestat në Londër viteve të kaluara, ku turma e madhe, pa pasë ndonjë shkak apo qëllim të caktuar, rrënoi gjithçka që iu gjet përpara?! Ndërkaq, as sot e kësaj dite nuk u kuptua se cili në fakt ishte qëllimi dhe shkaku i organizimit të atyre protestave që shkaktuan dëme materiale dhe huti në publik.
Një analizë e mëvonshme duket se gjeti fijet e gjithë atij protestimi të pakontrolluar të turmave – për disa irracionale edhe për faktin se preteksti askund nuk u shfaq si argument e motiv që arriti të masivizojë aq shpejtë të gjitha shtresat sociale në këtë vend me traditë të gjatë demokratike, sociale e kulturore.
Në fakt, atje ndodhi një huti dhe një frustrim i masave të gjera; ndodhi edhe një proces i ri i vetëkërkimit të preteksteve për të demonstruar pa. Ndër këto pretekste, ekspertët identifikuan se protestat shkatërrimtare u bënë edhe për shkak të dobësimit permanent të valutës angleze, e cila – përkundër ruajtjes se një lloj sovraniteti ekonomik – në raport me BE-në gjithnjë e me shumë kishte filluar të gërryhej nga konkurrenca. Preteksti tjetër kishte të bënte edhe me pretendimin se Britania e madhe duhet të dalë nga BE-ja – pretekst ky që e shtyri edhe qeverinë (kryeministrinë) ta thotë edhe publikisht se interesat britanike në BE kërkojnë një rishqyrtim urgjent! Pretekste tjera ishin: pakënaqësitë me shkollimin e sistemit të Bolonjës; Qeverinë e cila në sytë e demonstruesve ishte një avokate e profiterëve të pronarëve të bankave; si dhe kundërvënia ndaj pretendimeve të magnatëve dhe kompanive të mëdha për t’i shpërngulur fabrikat nëpër vendet aziatike (Kinë sidomos!) – një fenomen që e frymëzoi globalizmi (jo globalizimi)!
2. Pretekstet e demonstrueseve të tjerë evropianë
Nëse i gjurmojmë në vija të trasha motivet apo pretekstet për demonstrimet – si institucione te lejueshme demokratike – do të kuptojmë që pretekstet në vendet tjera janë më të artikuluara dhe më pak të sofistikuara sesa në rastin e atyre ne Britani.
Në horizont është preteksti i fuqishëm kontestimit të “diktaturës se Brukselit”, ku aludimi është: një shtet i përbashkët evropian, me një strukturë tipike burokrate, pretendon të caktojë tarifat e pensioneve, kohën e punës… Ndërsa, të njëjtit vetes i japin rroga te mëdha! Rezistenca që pretendojnë ta shtrijnë edhe në vendet tjera te BE-së, për nga ideologjia është majtiste. Pra, grupet majtiste janë avokate të pa diskutueshme të shtresave të gjera të kërcënuara nga papunësia, shtrëngimet sociale në shëndetësi, arsimim, pensione etj.
Një tjetër pretekst që duket se akoma s’ka dalë në publikun e gjerë evropianë, padyshim është shqetësues edhe për faktin se përkrahet nga shtresa e të rinjve: mos përzierjen e SHBA-ve në mekanizmat e sigurisë së kontinentit.
3. Përvojat e kosovarëve në protesta
Nëse flas pa censurë dhe pa ndonjë pretendim që t’ia mbajë anën politikës apo publikut të gjerë, më duhet të them që përvoja e protestave dhe kërkimit të preteksteve për t’u masivizuar në vende dhe shtete me përvoja demokratike, është e ndryshme me Kosovën?!
Pse e ndryshme? Përvojat e kosovarëve për të demonstruar për nevojat dhe frustrimet nacionale janë të një natyre dhe një domeni specifik për shkakun se të gjitha protestat – prej vitit 1968 (protestat për flamur), ato të vitit 1981 (për barazim me republikat tjera në Jugosllavi), 1989 (protestat kundër vendimeve të ish regjimit serb që të suspendohet edhe ajo pak autonomi në kuadër të Jugosllavisë) – ishin të natyrës politike
Tashti, nëse iu adresohemi protestave të këtyre ditëve, padyshim se janë një terren i ri për publikun kosovar, edhe për shkakun se akoma është evident hezitimi për të demonstruar kundër shtetit për të cilin ata sakrifikuan shumë.
4. Modeli i protestimit “Made in Kosova”…
Protestat e njëjta që në fillim s’kanë as qëllim e as ndonjë shkak të fortë (në kuptimin e mobilizimit qytetarë), munden realisht të ndodhin në të ardhmen. Shkaqet që do të mund të mobilizojnë masën kritike për demonstrim, janë: papunësia, perceptimi lidhur me korrupsionin dhe krimin e organizuar, kriza sociale, morale etj.
Por, çfarë mund të prodhojnë “pretekstet” e protestave që tani për tani nuk kanë ndonjë agjendë apo objektiv final të qartë?
1. Pretekstet e protestave kosovare, përveç tjerash, mund të prodhojnë edhe një fenomen të ri që ka të bëjë me mundësinë e "ikjes" apo arratisjes së turmës nga mekanizmat e sigurisë që i disponon shteti i Kosovës.
2. "Ikja" e pakontrolluar mund të rrezikojë të gjitha të arriturat në sferat e ndryshme. Por, mund edhe të hapë tema të reja që mund të vijnë ad hoc, si bashkimi kombëtar, rikonfigurimi i ri gjeostrategjik në Ballkan, apo një manifestim eventual zinxhiror për ndonjë rregullim të ri social, politik apo ekonomik…
3. Çështja është më serioze se që mendohet, edhe nga manifestuesit e këtyre demonstrimeve me pretekste tashti të fshehura, por që në një moment mund të masivizohen edhe si kërkesa!
4. Protestat “Made in Kosova” mund të prodhojnë shumë më lehtë dhe më shpejt edhe situata ku një numër i madh i papërcaktuar qytetarësh, duke dashur që të “solidarizohen” me kërkesat qytetare, mund të marrin në dorë ligjin e “drejtësisë” së turmës.
Kalimi i sjelljeve racionale në ato instiktive të protestuesve kosovarë, krijon mundësi të intoleracës, ndjenja të vetëflijimit – që do të rritej shpejt e me gjasa shkatërrimtare – linçim e kërkim të “kokave të Turkut”, si dhe në ndjenjën e forcës për pamposhtmërisë…
Tipi i protestimit në Kosovë mund të prodhojë tipin e turmës vepruese të cilën si tërësi njerëzish, të eksituar nga frustrimi i pamundësisë së të qenit qytetarë me të drejta të plota të demonstrimit, mund të sjellë edhe trazira të paparashikuara dhe një dëm të pariparueshëm të të arriturave në Kosovë!