Site icon Telegrafi

A mund të dalë një ka nga vegshi?!

Riformatizimi doli të ishte një ndërrim më rrënjësor dhe shumë më serioz sesa që vetë kryeministri Thaçi, po edhe kritikët e tij e kishin paralajmëruar. Megjithëse korrupsioni nuk u pranua formalisht si një shkas për ndryshime, vetë ndryshimet treguan se lëvizjet e reja në qeveri mund të jenë pjesë e pozicionimit për t’i dhënë goditje korrupsionit në të ardhmen. A fshihet diçka prapa mbështetjes së Christopher Dell dhe Pieter Feith?

Është bërë si rregull në Kosovë që pas çdo ngjarjeje politike, të pritet komenti i ndërkombëtarëve e sidomos ai i ambasadorit të SHBA-së. Fjala e tyre shihet si vulë që formalizon përfundimisht veprimet e ndryshme të politikës kosovare. Kësaj radhe, si ambasadori amerikan zoti Dell, si përfaqësuesi special i BE-së zoti Feith, mbështeten ndryshimet në qeveri dhe për habinë e shumëkujt, ato i vlerësuan si pjesë e luftës kundër korrupsionit.

Nëse i besohet opozitës dhe disa mediave për shkallën e korrupsionit në disa ministri tjera ku nuk janë bërë ndryshimet, atëherë deklaratat e këtyre dy autoriteteve ndërkombëtare do të ishin një orvatje e kotë për t’i vënë kapakun kraterit që nuk mbyllet dot. Një gjë e tillë nuk ka si të lidhet me synimet e misionarit evropian e kurrsesi me synimet e ambasadorit amerikan. Evropa dhe SHBA nuk janë në Kosovë për ta përligjur krimin, por për ta promovuar dhe ndihmuar luftën kundër tij.

Duke ditur pra, se pragmatizmi është alfa e të menduarit dhe të vepruarit të politikanëve perëndimorë e veçanërisht të atyre amerikanë, mund të jenë pikërisht arsye pragmatike që shpjegojnë pse këta funksionarë të rëndësishëm, njëri pas tjetrit, kanë dhënë deklarata pozitive dhe inkurajuese për vendimet e Thaçit?

Arsyeja e parë do të kishte të bënte me vendosmërinë për ta përkrahur koalicionin qeverisës deri në fund të mandatit, meqë zgjedhjet e parakohshme do të ishin një aventurë e panevojshme që do t’i kushtonte vendit dhe që do ta përgënjeshtronte pretendimin e opozitës për ndërrimin e strukturës së pushtetit.

Duke vepruar kështu arrihet që vendi ta ruajë stabilitetin e brishtë në një situatë mjaft delikate për të ardhmen politike të tij dhe që opozita të forcohet gjatë periudhës së mbetur deri në zgjedhjet e përgjithshme për të qenë alternativë më reale e pushtetit. Arsyeja e dytë do të ishte që duke përkrahur dy ministrat e rinj, të drejtësisë dhe atë të punëve të brendshme, si dy individë të përgatitur dhe të vendosur për t’u përballur me sfidat në vazhdim, do të arrihet të realizohet edhe objektiva e jo tolerancës ndaj korrupsionit.
Si do të arrihej kjo?

Meqë zhurma ndaj korrupsionit ende është në fazën e spekulimeve, koha në vazhdim do të kthjellojë shumë gjëra, ndërkohë që do të forcohen mekanizmat shtetërorë për t’i dhënë goditje serioze kësaj pike të keqe. Një ministri e drejtësisë që do të sjellë legjislacionin e nevojshëm për ta hetuar dhe dënuar krimin dhe një polici e aftë për ta zbatuar ligjin, duket se do të jenë parakushtet kryesore për t’u përballur seriozisht me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Ambasadori Dell beson fuqishëm se në krye të këtyre dy ministrive kanë ardhur njerëz të e duhur, prandaj është ngutur që ta shpreh përkrahjen e tij pikërisht në momentin e fillimit të punës së tyre, kur entuziazmi për të ndërruar praktikat negative është në kulm.

Se a do të provohet të luftohet korrupsioni duke goditur qendrat e tij, apo do të fillohet nga periferia për të ardhur te qendra nuk është shumë e rëndësishme. E rëndësishme është vendosmëria për t’i hyrë kësaj pune dhe për t’i shkuar asaj deri në fund. Duke ditur se krimi i organizuar sjell në telashe edhe shtetet më të fuqishme të botës, një qasje e tillë e kujdesshme, por persistente dhe e vendosur njëkohësisht, ka mundësi të sjell më shumë rezultate sesa veprime të rrufeshme, por që nuk janë të përgatitura mirë.

Një gjë është e sigurt. Kosova ose do ta luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, ose do ta dekompozojë vetveten para se të hyjë në BE, apo OKB. Një luks i tillë nuk do t’i lejohet asnjë udhëheqësi as nga populli i Kosovës e as nga sponsorët më të fuqishëm të pavarësisë. Mesazhi është shume i qartë: koha është që të punohet për shtetin e jo për vetveten.

Mbetet të shihet çka do të nxjerr luga në vazhdim. Ajo ka hyrë për një copë mishi, por nga vegshi mund të dalë një ka.

Exit mobile version