Telegrafi

A ka shqiptarë tek “antishqiptarët”

Po lexoja një shkrim në internet, dhe pasi e lexova, në komentet poshtë shkrimit pash disa herë cilësorin “antishqiptar”. Të njëjtin e pashë edhe pasi lexova një shkrim tjetër.

Në fakt, rrallë po më ndodhë që ta kaloj një ditë pa e lexuar apo dëgjuar këtë mbiemër të frikshëm, dhe shumë më shpesh në kontekstin brendashqiptar. Nëse bazohemi në pohimet e këtyre “shqiptarëve” që me shumë gjasë po ashtu quhen “antishqiptar” nga dikush, atëherë bota na paska mbetur pa shqiptarë. Pa një komb që, kohëve të fundit, e kalon ditën duke e ndarë “shapin prej sheqerit” dhe natën i përzien prapë që të mos kotet të nesërmen.

Duhet të kujtojmë se momentet më të lavdishme të popullit tonë kanë qenë ato kur ky popull është bashkuar rreth diçkaje. Por, kohezion në bashkime të tilla ka pasur vetëm në raportet shqiptar-pushtues (me disa përjashtime).

Ne po e përjetojmë atë që psikologu amerikan Les Parrott e quan “sëmundja e fajit të rremë“ , që vjen si rrjedhojë e iniciativës individuale apo grupore të njerëzve, për të krijuar fajtorë. Sepse vetëfajësimi presupozon se të gjithë, pos fajtorit, janë të pafajshëm. Duke ia shtuar kësaj edhe potencimin e dëmit të shkaktuar me fajin e fajtorit, krijohet paragjykimi apo urrejtja për fajtorin në mesin e të pafajshmëve të cilët e shohin veten si bartës të pasojave të dëmit të shkaktuar nga fajtori.

Në rastin tonë, antishqiptari është fajtor për gjendjen ekonomike dhe politike të kombit tonë, gjë që i bënë shqiptarët bartës të pasojave nga dëmi i shkaktuar me fajin e tij.

Kohëve të fundit, njëjtë siç nuk po kursehen njerëzit nga etiketimi si “antishqiptar”, as kombi nuk po kursehet nga dhënia e epitetit “baba i kombit” njerëzve që e bëjnë këtë epitet të ngjashëm me atë Derrin e Guinesë, i cili as nuk është derr dhe as nuk është nga Guinea. Nuk është se dhënia e epiteteve të tilla i paraprin meritës për të mbajtur këtë epitet, por natyrisht ekzistojnë pasoja kur njerëzit e gabuar quhen kështu.

Në këtë mënyrë ne krijojmë shembuj të gabuar për t’u ndjekur dhe e ushqejmë atë që Sigmund Freud e quan “super-ego” (struktura superiore e personalitetit të njeriut në të cilën bëjnë pjesë idealet, qëllimet shpirtërore, koshienca, fantazitë dhe ndjenjat) me modele të gabuara sipas të cilave rezonon logjika jonë e të menduarit dhe të vepruarit. Krijimi i këtyre fajeve apo edhe i epiteteve të rreme, rritë interesimin e njerëzve që qëndrojnë neutral ndaj këtyre vorbullave për të kuptuar të vërtetën.

Në rastin tonë, kush është antishqiptari i vërtetë ose babai i vërtetë i kombit?

Vështirësia e zbulimit të kësaj të vërtete apo këtyre të vërtetave konsiston në mungesën e kritereve universale për këto dy koncepte. Pra, ai që për dikë është “baba i kombit” për dikë është “antishqiptar” dhe anasjelltas. Mendoj se drejtësia (po të kishte të tillë tek ne) do të ishte zgjidhja më pajtuese e këtij problemi. Një drejtësi në bazë të së cilës ne do të krijonim kritere për përcaktimin e antishqiptarit, ku antishqiptar do të ishte ai që vret, vjedhë dhe mashtron, dhe që votën e popullit e koncepton si urë për anën e lumit ku ka imunitet ndaj drejtësisë.

Në fund, mendoj se ne duhet të merremi më shumë me përmirësimin e asaj që ngërthen në vete të qenit shqiptar, sepse kjo do ta thellonte hendekun moral dhe qytetar mes shqiptarit dhe antishqiptarit, në mënyrë që mes këtyre dy koncepteve të mos qëndron një dallim i vogël banal që dikur të mos bënte fare përshtypje. Sepse, mendoj se premisë kryesore për zbulimin e “të keqes” është “e mira”, se në fund të fundit kjo e bënë dallimin!